
Besnik Tahiri: Duhet dialog e përgjegjësi, kur bankrotojnë bizneset, bie edhe shteti
Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se protesta e sotme e bizneseve është thirrje për ndihmë, jo për përplasje.
“Askush nuk del në rrugë me dëshirë, e aq më pak sektori privat që drejtpërdrejt preket dhe humb nga ky veprim. Mirëpo, rritja e çmimeve të energjisë në mes të një pasigurie të thellë ekonomike është goditje e rëndë dhe e padrejtë. Kjo nuk është reformë, por dënim kolektiv për ata që po e mbajnë gjallë shtetin me punë dhe tatime dhe ata që janë shtylla e ekonomisë dhe burimi kryesor i punësimit në vend”, ka shkruar Tahiri në “Facebook”.
Ai ka thënë se sot mbështetja për bizneset nuk është zgjedhje politike por është domosdoshmëri kombëtare.
“Në vend të akuzave, duhet dialog. Në vend të arrogancës, duhet përgjegjësi. Sepse kur bankrotojnë bizneset, bie edhe shteti”, ka theksuar Tahiri.