
Besnik Tahiri e krahason Kurtin me Zelenskin, por pse!?
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka bërë një krahasim të kryeministrit Albin Kurti me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Tahiri thotë se Kurti prej një politikani është kthyer në një komedian, i cili flet me fjalime me rima, për bojlera e filtera, ndërkaq Zelenski prej një komediani e humoristi është kthyer në një lider inspirues që udhëheqë një luftë fisnike.
“Albin Kurti si kryeministër i Kosovës ka arritur në këtë funksion, duke qenë një aktivist i suksesshëm dhe një politikan që ka marrë mbi 50% të votave. Tash, prej një politikani është kthyer në një komedian, i cili na flet me fjalime me rima, flet për bojlera e filtera, na tregon sa duhet ta duam Kosovën, por nuk merret me çështjet jetike të këtij vendi”.
“Përderisa, në anën tjetër të globit, presidenti Zelenski prej një komediani e humoristi është kthyer në një lider inspirues që udhëheqë një luftë fisnike. Kosova është në luftë ekonomike, në luftë me varfërinë. Asnjë zyrtari publik nuk i është rritur paga, qe një vit e gjysmë i gënjejnë për pagën minimale e cila është më e vogla dhe nuk ka asnjë ndihmë për qytetarët”, ka deklaruar Tahiri.