Besnik Tahiri publikon konkluzionet për arsim të dala nga tryeza e AAK-së

01 mars 2024 | 23:00

Grupi Parlamentar i AAK-së në bashkëpunim me Forumin Intelektual Evropa 2030 kanë organizuar të premten tryezën për arsimin në Kosovë.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili ishte i pranishëm në këtë tryezë ka thënë se arsimi nuk është prioritet i kësaj qeverie, ku si pasojë problemet janë shtuar dhe janë alarmante.

Ndërkaq shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka publikuar konluzionet e kësaj tryeze, ku ka theksuar se arsimi në Kosovë është duke u ballafaquar me probleme sistematike, njëherit me mungesë serioze të trajtimit nga kjo qeveri; Tendenca për politizim dhe partizim në Universitetin e Prishtinës është alarmues; Raporti i Progresit të BE-së është kritik ndaj zhvillimeve në sektorin e arsimit në Kosovë; dhe po bëhet luftë e hapur me Sindikatën e Arsimit (SBAShK) nga qeveria.

Këto janë konkluzionet e tryezës për gjendjen në arsim:

• Arsimi në Kosovë është duke u ballafaquar me probleme sistematike, njëherit me mungesë serioze të trajtimit nga kjo qeveri.
• Tendenca për politizim dhe partizim në Universitetin e Prishtinës është alarmues.
• Raporti i Progresit të BE-së është kritik ndaj zhvillimeve në sektorin e arsimit në Kosovë.
• Luftë e hapur me Sindikatën e Arsimit (SBAShK) nga qeveria.
• Klasat, amfiteatrot dhe laboratoret janë fabrikat më të rëndësishme për një komb e shtet për shkak se në këto ambiente formësohet resursi më i madh i një shoqërie, shteti e kombi, njeriu- burimi njerëzor.
• Me arsim nuk duhet të ketë pazar, pasi këtu fillon dhe ndërtohet ardhmëria e një vendi.
• Ligji i Pagave i ka dëmtuar profesorët universitarë dhe stafin akademik në universitetet publike. Është interes kombëtar rregullimi i këtij Ligji.
•Cilësia e hulumtimit shkencor dhe akademik në arsimin e lartë duhet të jetë prioritet – procesi i akreditimit duhet të jetë i bazuar në meritë.
• mungesa e teksteve shkollore – shkaktuan probleme serioze – kjo krizë ishte ikje nga detyra ligjore.
• PISA – ka treguar nivelin e ulët dhe situatën alarmante në sektorin e arsimit.
• Autonomia financiare përmes financimit të drejtpërdrejtë dhe përdorimi i të hyrave vetanake nga Universiteti është prioritet.
• Ligji i Arsimit të lartë duhet të ndryshojë dhe kompetencat duhet t’i lejohen stafit akademik të universiteteve publike e jo bordeve për zgjedhjen e Rektorit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Vajza e gruas së Emmanuel Macron ka folur për herë…