Besojmë fuqishëm se do të dalim mirë në zgjedhje

30 korrik 2019 | 13:35

Deputeti i Partisë Socialdemokrate (PSD), Driton Çaushi, është shprehur i bindur se kjo parti do të dalë mirë në zgjedhjet e parakohshme që pritet të mbahen së shpejti. Ai ka bërë me dije se me shembullin e mirë të qeverisjes në Prishtinë dhe Kamenicë, si dhe me aktivitetin e grupit parlamentar, kanë arritur të paraqesin një model të ri të politikëbërjes në vend.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Çaushi ka thënë se ky subjekt politik, krahas kritikës, çdoherë ka ofruar edhe alternativën e zgjidhjes së problemeve. “Kemi besim të fuqishëm se do të dalim shumë mirë nga ky proces zgjedhor. Kemi punuar gjithë vitin për shtrirjen, zgjerimin dhe forcimin e organizatës sonë në terren. Kemi dhënë shembullin më të mirë të qeverisjes në Prishtinë e Kamenicë. Si dhe, si grup parlamentar kemi qenë mjaft të angazhuar në Kuvendin e Kosovës, duke problematizuar e shtyrë përpara çështje që janë në interes të qytetarit të vendit. Si parti paraqesim një model të ri të politikëbërjes ku, krahas kritikës, ofrohet edhe zgjidhja e problemeve. Jam i bindur që ky është një model që e duan qytetarët”, ka thënë Çaushi.

Deputeti i PSD-së ka treguar se pas dorëheqjes së kryeministrit e vetmja alternativë mbetet shkuarja sa më shpejt e vendit në zgjedhje. Ai ka deklaruar se janë të hapur për koalicione parazgjedhore, ani pse personalisht mendon se PSD-ja duhet të shkojë e vetme në zgjedhje.

Në lidhje me preferencat që AAK-ja dhe Nisma i kanë shprehur për të bërë koalicion me këtë subjekt politik, Çaushi ka bërë me dije se në rast të ndonjë bashkëpunimi për PSD-në prioritet është diskutimi mbi çështjet programore e jo postet politike. “Ne e kemi vullnetin dhe gatishmërinë që në rast të interesimit për koalicione, t’i shtrojmë si diskutim çështjet programore. Vetëm duke bërë një diskutim të këtillë mund të flasim tutje për ndonjë bashkëpunim më konkret. Duhet ta shtjerrim diskutimin për të parë se ku bëhemi bashkë me njëri-tjetrin dhe ku i kemi dallimet, e jo siç kemi parë më herët, ku koalicionet janë formuar duke pasur temë bosht se kush cilën pozitë po e merr”, është shprehur ai, duke shtuar se vetëm me PDK-në nuk bëjnë asnjë diskutim për koalicion të mundshëm.

“Epoka e re”: Z. Çaushi, si e ka pritur PSD-ja dorëheqjen e kryeministrit?
Çaushi: Ishte befasi. Dorëheqja e tij erdhi kur po kërkohej më së shumti, por erdhi për një arsye krejt tjetër, pra për shkak të ftesës së tij në Hagë. Vetë ftesa ishte e habitshme sepse zoti Haradinaj tashmë është përballur me këtë proces gjyqësor. Unë, sikurse edhe kolegët në PSD, patëm dorëzuar nënshkrimet për ta rrëzuar qeverisjen e tij. Por, më vjen keq që kjo ndodhi për shkak të ftesës nga Specialja.

 “Epoka e re”: Kushtetuta tani parasheh edhe mundësinë që koalicioni aktual të mund ta nominojë një kandidat tjetër për kryeministër. Duhet të provohet kjo mundësi apo duhet të thirret një seancë e jashtëzakonshme për shpërbërjen e Kuvendit?
Çaushi: E kemi përsëritur disa herë si PSD që nga dita kur Haradinaj dha dorëheqje, se rruga e vetme tashmë janë zgjedhjet. Na duhet një qeveri që del nga një proces i zgjedhjeve të lira dhe demokratike, e nuk shoh asnjë arsye për manovrime të tjera. Jemi në pritje të shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe jemi shumë të interesuar për një qeverisje funksionale pas përfundimit të këtij procesi.

“Epoka e re”: Kur është koha më e mirë për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve dhe si pritni të dalë PSD-ja në këto zgjedhje?
Çaushi: Nuk mund të flasim tani për data të preferuara. Është me rëndësi që të respektohet Kushtetuta dhe ligjet e vendit dhe presidenti t’i thërrasë takimet konsultuese me partitë për datën e zgjedhjeve. Aty japim edhe propozimet tona. Kemi besim të fuqishëm që do të dalim shumë mirë nga ky proces zgjedhor. Kemi punuar gjithë vitin për shtrirjen, zgjerimin dhe forcimin e organizatës sonë në terren. Kemi dhënë shembullin më të mirë të qeverisjes në Prishtinë dhe Kamenicë. Si dhe, si grup parlamentar kemi qenë mjaft të angazhuar në Kuvendin e Kosovës, duke problematizuar e shtyrë përpara çështje që janë në interes të qytetarit të vendit. Si parti paraqesim një model të ri të politikëbërjes ku, krahas kritikës, ofrohet edhe zgjidhja e problemeve. Jam i bindur se ky është një model që e duan qytetarët.

“Epoka e re”: PSD-ja preferon të shkojë e vetme në zgjedhje apo me ndonjë koalicion parazgjedhor?
Çaushi: Për mua është e pëlqyeshme të shkojmë të vetëm në zgjedhje, por këtë vendim e marrin strukturat e partisë, pas një diskutimi të hollësishëm. Sidoqoftë, në rast të ndonjë bashkëpunimi e shoh si prioritar diskutimin mbi çështjet programore dhe pajtimin mbi to me partnerin e koalicionit.

“Epoka e re”: Tashmë AAK-ja dhe Nisma janë shprehur pro një koalicioni me PSD-në. Sa është i mundshëm një koalicion i tillë, dhe a ka vija të kuqe PSD-ja për ndonjë parti politike?
Çaushi: Ne e kemi vullnetin dhe gatishmërinë që në rast të interesimit për koalicione, t’i shtrojmë si diskutim çështjet programore. Vetëm duke bërë një diskutim të këtillë mund të flasim tutje për ndonjë bashkëpunim më konkret. Duhet ta shtjerrim diskutimin për të parë se ku bëhemi bashkë me njëri-tjetrin dhe ku i kemi dallimet, e jo siç kemi parë më herët, ku koalicionet janë formuar duke pasur temë bosht se kush cilën pozitë po e merr. Pas kësaj mund të flasim se sa është i mundshëm ndonjë koalicion me këto dy parti. Në anën tjetër, mbajmë qëndrimin e mëhershëm që nuk bëjmë asnjë diskutim për koalicion e kurrfarë koalicioni me PDK-në, për të cilën, siç jemi shprehur edhe më herët, konsiderojmë që pas zgjedhjeve duhet të jetë në opozitë.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komuna e Skenderajt, ashtu sikur vitin e kaluar që kishte…