Betohen kryetarët e rinj serbë të komunave në veri të Kosovës

05 dhjetor 2025 | 12:21

Në katër komunat në veri të Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok janë mbajtur seancat konstituive, në të cilat kryetarët e rinj nga Lista Serbe e kanë rimarrë edhe zyrtarisht pushtetin, duke e bërë betimin.

Ceremonia e betimit të tyre është mbajtur në prani të simboleve shtetërore të Kosovës.

Këto komuna me shumicë serbe janë udhëhequr nga kryetarë shqiptarë që nga maji i viti 2023, pasi ata nga Lista Serbe kishin dhënë dorëheqjen në nëntor të vitit 2022 si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet, në shenjë kundërshtimi me vendimet e Qeverisë së Kosovës.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Beogradit gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet lokale, kishte pranuar se kishte gabuar kur ishte larguar nga institucionet dhe kishte theksuar se ky vendim ishte marrë për të tërhequr vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar mbi “gjendjen e vështirë” të serbëve.

Kryetari i Listës Serbe, Zllatan Ellek, ka thënë më 3 dhjetor se kryetarët e rinj të komunave: Millan Radojeviq në Mitrovicë të Veriut, Zoran Todiq në Leposaviq, Dragisha Milloviq në Zveçan dhe Millosh Peroviq në Zubin Potok, pas marrjes së detyrës do të kërkojnë të kenë qasje në dokumentacionin e plotë.

Lista Serbe, gjithashtu, më parë kishte njoftuar se do të anulonte vendimet “jolegjitime” që kanë marrë kryetarët shqiptarë të komunave në veri.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Valentina Gashi nga Studençani i Suharekës, shpall të pavlefshme diplomën…