Biblioteka “Fan S. Noli” në Gjilan pajiset me iPadë të rinj
Kryetari i Komunës së Gjilanit Alban Hyseni, bashkë me ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, nënkryetaren, Leonora Morina-Bunjakun, drejtorin për Kulturë, Rini dhe Sport, Kushtrim Zeqirin dorëzuan në Bibliotekën e qytetit “Fan S. Noli” në Gjilan iPadë të rinj.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha në bashkëpunim me Ambasadën e Bullgarisë në Kosovë, po e çojnë përpara digjitalizimin e plotë të Bibliotekës “Fan S. Noli” në Gjilan, përmes bashkëfinancimit të 150 iPadëve të rinj.
“Kjo nismë do t’iu mundësojë lexuesve tanë qasje në miliona libra elektronikë dhe artikuj shkencorë nga e gjithë bota”, tha Alban Hyseni.
I pari i komunës, theksoi se ky është hap i madh drejt një Gjilani që lexon, mëson dhe zhvillohet në hap me kohën dhe me teknologjinë.
Ambasadori i Republikës së Bullgarisë në Kosovë, Hristo Kraevski, tha se ndihet i lumtur që është për herë të dytë në Gjilan, këtë herë për projektin e digjitalizimit të Bibliotekës së qytetit “Fan S. Noli” përmes tabletëve të mençur.
Sipas ambasadorit tabletët e mençur, do të jenë në shërbim të atyre që janë të pasionuar pas leximit për qasje më të lehtë.



