
Biblioteka Kombëtare e Holandës i bën thirrje publikut për ndihmë pas “vjedhjes së librave të rrallë”
Biblioteka Kombëtare e Holandës në Hagë po bën thirrje për më shumë bashkëpunim midis institucioneve të trashëgimisë kulturore rreth mënyrës së luftimit të kërcënimeve fizike dhe online, pasi hajdutët vodhën disa libra të rrallë.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, librat u vodhën në vitin 2023, por grabitja nuk është bërë publike deri më tani për shkak të një hetimi policor që është në vazhdim.
Europol dyshon se grabitja ishte vepër e një bande gjeorgjiane që ka qenë aktive në të gjithë Evropën.
Deri më tani nuk është gjetur asnjë provë, por ekspertët kanë thënë se vjedhja e librave përputhet me objektivin e bandës për të vjedhur “literaturë historike dhe patriotike ruse”.
Tani që hetimi ka arritur “në një fund të vdekur”, drejtoresha e bibliotekës Wilma van Wezenbeek shpreson që publiku të mund të ndihmojë.
“Ne duam që librat të kthehen. Ndoshta dikush ka informacion”, ka thënë ajo.
Biblioteka e ka publikuar vjedhjen në faqen e saj të internetit, me këshilla se si t’i njihni librat.
Midis librave janë disa botime të fillimit të shekullit të 19-të.
Biblioteka nuk ka thënë se sa vlejnë ato, por Europol vlerëson se totali i 170 librave të vjedhur në Evropë është rreth 2.5 milionë euro.
Mënyra e veprimit të grabitësve ndryshonte nga vendi në vend, tha Europol.
Ata shpesh i fotografonin veprat për “qëllime studimi” duke përdorur fotografitë për të vendosur kopjet në vendin e tyre në vizitën tjetër.