Biblioteka Kombëtare nderon “Epopenë e UÇK-së” me dy ekspozita

04 mars 2026 | 17:16

Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani”, me rastin e përvjetorit të 28 të “Epopesë së UÇK-së”, nesër (e enjte), me fillim nga ora 11:00, në dy atriumet e veta, do të hapë dy ekspozita në shenjë nderimi dhe kujtimi për luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ekspozita “Epopeja e UÇK-së në shtypin e Kosovës (2000-2020)” paraqet mënyrën se si Epopeja e UÇK-së është organizuar, kujtuar, festuar dhe interpretuar në shtypin e Kosovës përgjatë dy dekadave pas luftës. Boshti kryesor i saj nuk është vetëm ngjarja historike, por ndërtimi i kujtesës kolektive përmes gazetave fizike të Kosovës të cilat përgjatë dy dekadave kanë raportuar për këtë ngjarje të madhe kombëtare. Ekspozita trajton: narrativën e përvjetorëve të epopesë më 5, 6, 7 mars, gjuhën e përdorur në titujt e gazetave për këtë epope, ndryshimin e diskursit medial ndër vite për këtë epope dhe, po ashtu, heroizimin dhe institucionalizimin e kujtesës kombëtare.

Në këtë ekspozitë janë paraqitur tituj ballinash të gazetave të Kosovës nga vite të ndryshme për përvjetorët e Epopesë, shkrime të gazetave nga vite të ndryshme për përvjetorët e Epopesë, shkrime të ilustruara me fotografi nga festimet e përvjetorëve të Epopesë. Ndërkaq mesazhi i kësaj ekspozite është: epopeja e UÇK-së nuk është vetëm ngjarje historike, por edhe proces i vazhdueshëm i ndërtimit të kujtesës përmes fjalës së shkruar.

Ekspozita tjetër, e cila, po ashtu, do të hapet nesër në atriumin e BKK-së, me titull “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, është vizuale dhe emocionale. Ajo përqendrohet në vendin fizik ku ka ndodhur sakrifica e familjes Jashari, në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. Kjo ekspozitë përbëhet nga 36 fotografi të fotografit nga Skenderaj, Sefer Aliqkaj, i cili i ka realizuar kryesisht në Prekaz.

Titulli i kësaj ekspozite, “Ditënetët e zjarreve në Prekaz”, simbolizon: zjarrin e luftës, zjarrin e sakrificës, zjarrin e kujtesës dhe mbijetesën. Fotografitë e realizuara në vendlindjen e familjes së Adem dhe Hamëz Jasharit nuk janë vetëm dokumentim, por dëshmi e një hapësire të shndërruar në simbol kombëtar.

Përmbajtja e kësaj ekspozite është me fotografi panoramike nga Kompleksi Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, nga shtëpitë e familjes Jashari, nga peizazhi i lagjes Jashari, nga shenjat e sakrificës (kompleksi i varrezave të përbashkëta të Jasharëve), nga gjurmë të plumbave nëpër shtëpitë e tyre dhe gjësendet përbri shtëpive të tyre, nga muret e djegura dhe të shkatërruara, nga objektet e ruajtura nga institucionet e Kosovës, nga festimet e përvjetorëve të Epopesë në disa edicione, nga ceremonitë festive, nga flakadanët, nga qytetarët që vizitojnë kompleksin dhe nderojnë të rënët, nga Jasharët e brezit të vjetër dhe të ri etj.

Mesazhi i përbashkët i këtyre dy ekspozitave është se Prekazi nuk është vetëm vend historik, por altar i kujtesës kombëtare. Të dyja ekspozitat ndërtojnë një dialog të përbashkët dhe komunikues: Kujtesa në fjalë dhe kujtesa në imazh, duke përmbledhur në vete arkivin dhe kujtesën, mediet dhe monumentet, diskursin dhe emocionet. Së bashku ato krijojnë një rrëfim të plotë: Nga fjala e shtypur te vendi i shenjtë i historisë kombëtare. /Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se Glauk Konjufca është kandidat i…