
Bideni: Është turp që Trumpi nuk e pranon rezultatin
Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, ka thënë se është “turp” që presidenti Donald Trump nuk e ka pranuar ende rezultatin e zgjedhjeve në ShBA.
“Si mund ta them këtë me takt? Mendoj se nuk do ta ndihmojë trashëgiminë e presidentit”, ka theksuar Biden në një ngjarje në Dellauer.
Mediat amerikane e kanë parashikuar fitoren e tij të shtunën, katër ditë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit.
Por, Trump ka refuzuar të pranojë humbjen dhe, pa sjellë ndonjë provë, ka pretenduar se zgjedhjet janë vjedhur, raporton Rel.
Trump ka kërkuar rinumërime të votave dhe ka paralajmëruar veprime ligjore.
I pyetur nga gazetarët se cili është plani i tij nëse administrata Trump nuk bashkëpunon në tranzicionin e pushtetit, Biden tha: “Do të ishte mirë sikur ta kishim [bashkëpunimin e administratës], por nuk është vendimtar. Ne do të bënim pikërisht atë që po bëjmë, edhe sikur ta pranonte humbjen”.
Udhëheqësit botërorë, përfshirë shumicën e aleatëve amerikanë, e kanë uruar Bidenin për fitoren në zgjedhje.