
Bideni përgëzon Trumpin për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza
Ish-presidenti amerikan, Joe Biden ka përgëzuar Donald Trumpin për planin e tij për Gazën, duke thënë se i ka dhënë fund “ferrit të paimagjinueshëm” të 20 pengjeve të fundit që mbaheshin nga Hamasi dhe solli një shans për paqe për civilët palestinezë në Gaza.
“Jam thellësisht mirënjohës dhe i lehtësuar që ka ardhur kjo ditë – për 20 pengjet e fundit që kanë kaluar nëpër një ferr të paimagjinueshëm dhe më në fund janë ribashkuar me familjet dhe të dashurit e tyre, si dhe për civilët në Gaza që kanë përjetuar humbje të pamatshme dhe më në fund do të kenë mundësinë të rindërtojnë jetën e tyre”.
“Rruga drejt kësaj marrëveshjeje nuk ishte e lehtë. Administrata ime punoi pa pushim për të sjellë pengjet në shtëpi, për t’u dhënë ndihmë civilëve palestinezë dhe për t’i dhënë fund luftës. Përgëzoj Presidentin Trump dhe ekipin e tij për punën e tyre për të çuar drejt finishit një marrëveshje të re të armëpushimit”, ka shkruar Bideni në platformën “X”.
Ai ka thënë se tani, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe botës, Lindja e Mesme është në rrugën e paqes “që shpresoj të zgjasë dhe një të ardhme për izraelitët dhe palestinezët njësoj me masa të barabarta paqeje, dinjiteti dhe sigurie”.
Gjatë presidencës së tij, demokrati Biden ka furnizuar Izraelin me sasi të mëdha armësh që u përdorën me efekt shkatërrues në të gjithë territorin, duke vrarë dhjetëra mijëra njerëz, shumë prej të cilëve ishin civilë, shkruan “The Guardian”.
ShBA-ja i ka ofruar gjithashtu Izraelit mbrojtje të rëndësishme diplomatike, e cila e ka ndihmuar Benjamin Netanyahun të vazhdojë një luftë që shumë juristë e kanë cilësuar si gjenocid.
Trumpi e ka kritikuar rregullisht Bidenin, veçanërisht për çështjet e politikës së jashtme dhe e ka quajtur atë presidentin më të keq në historinë e ShBA-së.