Bideni: Vaksinimi është jetik për fundin e pandemisë

08 tetor 2021 | 11:23

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u bëri thirrje bizneseve amerikane që t’i detyrojnë punëtorët e tyre të marrin vaksinën kundër koronavirusit.

Bideni ka thënë se vaksinimi është një gjë jetike për t’i dhënë fund pandemisë dhe për të ruajtur ekonominë.

“Me vaksinim, ne do ta mposhtim këtë pandemi. Pa të, ne përballemi me muaj të pafund kaosi në spitalet tona, dëme në ekonominë tonë dhe ankth në shkollat tona”, ka thënë Bideni.

Muajin e kaluar, Bideni ka urdhëruar që të gjithë punonjësit federalë dhe kontraktorët të vaksinohen, ndërsa punëdhënësit privatë me 100 ose më shumë punëtorë të kërkojnë nga personeli që të vaksinohet deri më 8 dhjetor, ose të testohet çdo javë për koronavirus.

Ky urdhër mbulon 100 milionë njerëz, apo rreth dy të tretat e fuqisë punëtore.

“Nuk ka asnjë mënyrë tjetër për ta mposhtur pandeminë përveç vaksinimit të shumicës dërrmuese të popullit amerikan”, ka thënë Bideni.

Në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, mbi 186 milionë njerëz janë vaksinuar plotësisht kundër koronavirusit. Shifra përbën mbi 56 për qind të popullatës.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi.

Mbi 44 milionë njerëz janë infektuar atje dhe mbi 710 000 kanë humbur jetën.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çekët votojnë sot dhe nesër në zgjedhjet parlamentare. Sondazhet sugjerojnë…