Bie dukshëm numri i të rinjve që aplikojnë për studime në Universitetin e Prishtinës

14 gusht 2023 | 09:52

Viteve të fundit ka rënie të numrit të të rinjve që kanë aplikuar për të vazhduar studimet në Universitetin e Prishtinës dhe universitete të tjera.

Profesorë universitarë dhe njohës të çështjeve të arsimit vlerësojnë se ndër faktorët që kanë ndikuar në rënien e numrit janë: mos punësimi, konkurrenca, migrimi dhe kërkesa e tregut të punës për profile të caktuara.

Prej vitesh në Universitetin e Prishtinës ka rënie të numrit të studentëve, ku vetëm këtë vit janë rreth 1 mijë studentë më pak. Për profesionistët universitarë kjo është si pasojë e largimit të të rinjve por edhe konkurrencës nga kolegjet private.

Profesori në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, Blerim Rexha, fakultet i cili është ndër me të kërkuarit viteve të fundit, i tha RTK-së se kërkesa për t’u bërë pjesë e këtij fakulteti është rritur shumë, për shkak të kërkesave në tregun e punës për këtë lloj profili.

“Programi ynë këtë vit ka shënuar një rritje në Universitetin e Prishtinës, duke e bërë programin më të kërkuar pas atij të mjekësisë. Kjo është si pasojë, sipas mendimit tim, për shkak të kërkesave të rritura në tregun e punës. Tani kemi konkurrencë shumë serioze nga kolegjet private dhe universitetet e tjera publike”, tha Rexha.

Njohës të çështjeve të arsimit po vlerësojnë së janë shumë faktorë të cilët kanë ndikuar në rënien e numrit të studentëve ndër vite.

Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës së njëri ndër faktorët është se të rinjtë pas përfundimit të studimeve, nuk po arrijnë të punësohen.

“Një prej arsyeve që ka rënie është që janë shkolluar ata të cilët arsimin e lartë e kanë marrë si mundësi të dytë, në anën tjetër kemi ikjen e të rinjve për shkak të migrimit dhe faktori tjetër është pa perspektiva”, tha Rexhaj.

E sa i përket rritjes së interesimit të të rinjve për drejtimet kompjuterike e inxhinierike, Rexhaj tha se të rinjtë më mirë e përcjellin kërkesën e tregut të punës se sa vetë institucionet.

“Të rinjtë më mirë i përcjellin trendët e punësimit dhe kërkesat e tregut të punës se sa institucionet e arsimit të lartë. Më mijëra njerëz kanë diplomuar në profile të cilat nuk kanë qenë të kërkuara nga tregu dhe kjo ka bërë të bjerë interesimi i të rinjve, pasi ka kryer universitetin dhe nuk është punësuar fare ose është punësuar në një profil tjetër”, tha ai.

Drejtimet, Letërsi Shqipe, Gjuhë Shqipe dhe Filozofi, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” nga viti në vit po zbehën, duke rrezikuar edhe shuarjen në të ardhmen, në rast se vazhdon trendi i njëjtë.

Këtë vit në Degën e Letërsisë Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, kanë aplikuar vetëm gjashtë studentë, numër ky tejet i vogël e po ashtu shqetësues. Ndërsa, në Drejtimin Gjuhë Shqipe kanë aplikuar 20 studentë, numër shumë më i ulët në krahasim me vitet e kaluara.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mbrëmë është raportuar për një plagosje me armë që ndodhi…