Bie maska e BE-së për Kosovën

30 janar 2018 | 22:32

Shkruan: Edmond Ekrem Krasniqi

Meqë Kosova nuk mund të jetë pjesë përbërëse e BE-së, për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë shtete anëtare, qytetarët dhe klasa politike vendore duhet që të fillojnë që të shqyrtojnë dhe ndërtojnë gradualisht modelin e Zvicrës, Norvegjisë dhe Islandës për partneritet ekonomik dhe politik me BE-në.

U bënë vite të tëra që zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të vendeve anëtare të saj i thonë Kosovës se ajo një ditë do të anëtarësohet në këtë familje evropiane, përkundër faktit se anëtarësimi është i pamundur pa u njohur nga të gjitha vendet, për shkak të rregullës aktuale në fuqi për (mos)pranimin e anëtarëve të rinj.

Në nëntor pata shkruar në mjetet vendore të informimit se Kosova ndodhet në një rrugë të pa fund për hyrje në BE, pikërisht për këtë arsye.

Qëndrimi i Spanjës në letrën dërguar Komisionit Evropian (raportuar nga Koha Ditore) vetëm se po shpalos gradualisht edhe publikisht të vërtetën e madhe dhe të hidhur për Kosovën për premtimet e maskuara por edhe të kota nga Brukseli dhe vendet anëtare të saj për ‘perspektivën’ e saj (të pamundur) drejt BE-së.

Tash gradualisht maskat e fjalorit shterpë disavjeçar brenda BE-së po bien. Kjo do të shkaktojë huti dhe një udhëkryq të madh për vet Kosovën dhe qytetarët e saj.

Zyrtarët e institucioneve të BE-së dhe të vendeve anëtare tash gradualisht nuk do të jenë më të besueshëm kur përsëri do të thonë se Kosova ka perspektivë për hyrje në BE. Qytetarët e Kosovës gradualisht do ta humbin besimin ndaj tyre. Ndaj politikanëve kosovarë, për të njëjtin fjalor, po ashtu.

Kjo e vërtetë e madhe, gradualisht do të duhet që të provokojë një të menduar tjetër të vet qytetarëve të Kosovës, të politikanëve të saj, por edhe të vendeve anëtare të saj që ishin më të zëshmit në premtimet ndaj Kosovës për anëtarësim në BE.

Kosova dhe kosovarët gradualisht do të fillojnë që të mendojnë për alternative të tjera.

Dhe alternativa të tilla ka. Shembuj do të duhej marrë Zvicrën, Norvegjinë dhe Islandën.

Që të tre këto shtete kanë raporte të forta me BE-në. Ekonomitë e tyre janë të ndërlidhura bukur shumë dhe madje të varura në shkallë të madhe nga blloku evropian.

Në mars të vitit 2006, pak muaj pasi Angela Merkel erdhi në pushtet (Nëntor 2005), ajo pat sugjeruar për vendet e Ballkanit Perëndimor një ‘partneritet të privilegjuar’, (https://euobserver.com/enlargement/21163) një opsion më i dobët se anëtarësimi plotë.

Ajo në konferencën për shtyp në 15 Mars 2006 doli me një sugjerim të këtillë edhe pse në vitin 2003 në Selanik vendet anëtare të BE-së premtuan anëtarësim të plotë për vendet e rajonit.

Përderisa Kosova nuk do të mund që të anëtarësohet në BE për shkak të pesë shteteve që nuk ia njohin pavarësinë, sugjerimi i para 12 viteve i Merkelit për krejt vendet e Ballkanit, duhet të shqyrtohet nga klasa politike e Kosovës, si alternativë, e jo që të vazhdohet me fjalorin shterpë për perspektivë për hyrje në BE.

Kosova nuk mund të vazhdojë me premtime ëndrrash, kur vet rregullat e zgjerimit të BE-së nuk e lejojnë atë që të bëhet anëtare e plotë.

Përvojat e tre shteteve (Zvicra, Norvegjia dhe Islanda) thonë se jetë të mirë edhe jashtë BE-se, se ka alternativa tjera për të forcuar shtetin, zhvilluar ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.

Por për këtë opsion alternativ Kosovës i duhet një partner i fortë, një vend evropian, për ta shqyrtuar dhe gradualisht bërë synim, projekt dhe bërë realitet.

Gjermania është adresa më ë mirë për të ndihmuar që përvojat e tre shteteve të më lartë përmendura të marrin jetë, deri atëherë kur të gjitha shtetet do ta njohin pavarësinë, nëse do të njohin në ndonjë të ardhme të largët.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
​Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është shprehur optimist se për…