
Bie numri i lindjeve në gusht 2025 krahasuar me muajin korrik
Agjencia e Statistikave e Kosovës (ASK) ka bërë me dije se në muajin gusht 2025 janë regjistruar 2 516 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara, 1 284 lindje janë meshkuj dhe 1 232 lindje janë femra. ASK-ja ka theksuar se në muajin gusht 2025 ka rënie të numrit të lindjeve me rreth 6.4 për qind krahasuar me muajin korrik 2025. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Botërore për vitin 2024, Kosova renditet e para në botë për nga shkalla e tkurrjes së popullsisë, me një rënie prej -9.7-përqindësh.
Ky rezultat e vendos Kosovën në krye të listës së vendeve me rënien më të madhe demografike në nivel global, një shifër që ekspertët e cilësojnë si alarmante për të ardhmen e zhvillimit social dhe ekonomik të vendit.
Ndërkohë që popullsia botërore ka shënuar rritje mesatare prej një përqindësh, Kosova po përballet me trendin e kundërt, kryesisht për shkak të emigrimit masiv drejt vendeve evropiane, në kërkim të mundësive më të mira jetese dhe punësimi.
Pavarësisht prej përpjekjeve të institucioneve për ta frenuar largimin e qytetarëve dhe për ta nxitur rritjen e popullsisë përmes subvencioneve dhe politikave stimuluese, të dhënat tregojnë se vendi po përballet me një krizë demografike të thellë.
ASK-ja ka publikuar edhe statistikat e vdekjeve. Gjatë muajit gusht 2025 janë regjistruar gjithsej 914 raste të vdekjeve (brenda dhe jashtë Kosovës). Nga gjithsej vdekje të regjistruara, 515 janë meshkuj dhe 399 janë femra. Krahasuar me muajin korrik 2025, në muajin gusht janë regjistruar 4.3 për qind më shumë raste të vdekjeve.