BIK: Viktimat nga koronavirusi do të varrosen pa u pastruar nga autoriteti fetar

26 mars 16:36

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ka marrë një vendim lidhur me atë se si duhet vepruar me kufomat e personave të infektuar nga coronavirusi.

BIK ka njoftuar se me rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus, nëse kufoma përgatitet në morgun e QKUK-së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit.

“Në rastin e vdekjes së personit si pasojë e infektimit me koronavirus (konfirmuar nga IKSHPK’ja), nëse kufoma përgatitet, pastrohet dhe mbyllet hermetikisht në morgun e QKUK’së, atëherë ndalohet hapja e arkivolit dhe xhenazja do të varroset pa u pastruar nga autoriteti fetar, ndërsa Namazi i xhenazes do t’i falet pas varrosjes, duke respektuar distancën e duhur sociale në raport Imam-Xhemat”, thuhet në vendimin e BIK-ut.

BIK po ashtu thekson se nëse vdes një person i dyshuar me koronavirus, atëherë të vdekurit duhet t’i derdhet vetëm uji nga sipër, pa e prekur me duar trupin e tij.

“Në rastin e vdekjes së personit për të cilin dyshojmë apo frikësohemi se mund të ketë qenë i infektuar me koronavirus, xhenazja do të pastrohet në atë mënyrë që të vdekurit do t’i derdhet vetëm uji sipër, pa e prekur me duar trupin e tij”, thuhet tutje në vendim.

Ndryshe, deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 71 raste me koronavirus, ndërsa të dielën është shënuar edhe viktima e parë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Kosovë deri më tani, janë shënuar 71 raste me…