
Biseda me Radoçiqin, Prokuroria Speciale hedh poshtë kallëzimin penal të Kusari-Lilës kundër Vehbi Kajtazit
Prokuroria Speciale ka hedhur poshtë kallëzimin penal të Mimoza Kusari-Lilës kundër “Paparacit” dhe gazetarit Vehbi Kajtazi për publikimin e bisedës telefonike të ish-kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje me Millan Radoiçiqin.
Në aktvendimin është thënë se portali në fjalë nuk ka konsumuar vepër penale.
“Nga provat personale dhe ato materiale të bashkangjitura në shkresat e lëndës dhe pas analizimit të tyre, e në veçanti pas analizimit të bisedës së zhvilluar mes palëve, e të publikuar në portalin ‘Paparaci.com’ me pronar Vehbi Kajtazi, nuk është vërtetuar me asnjë veprim se të lartcekurit kanë konsumuar elementet e veprës ‘Nxitje e përçarjes dhe mos durimit’”, është thënë në aktvendim.
Ky është kallëzimi i dytë penal që prokuroria e shtetit ia rrezon ish-shefes së grupit parlamentar të LV-së.
Para një jave, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka hedhur poshtë kallëzimin penal të ish-shefes së grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, ndaj ish-nënkryetarit të Kuvendit nga Lista Serbe, Slavko Simiq.