Bislimi akuzon Serbinë për ‘krijim artificial të tensioneve’

07 shkurt 2024 | 16:42

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ka akuzuar Serbinë për hapa të njëanshëm dhe shkelje “flagrante të funksionalitetit” të institucioneve të Kosovës, përmes tentimit të dërgimit të një shume të dinarëve serbë në Kosovë.

Bislimi ka thënë se Beogradi, me veprimin e 7 shkurtit, ka synuar “krijimin artificial të tensioneve”, duke shtuar se duhet të dënohet nga të gjithë që kundërshtojnë hapat e njëanshëm.

Më herët gjatë ditës, autoritetet serbe kanë thënë se nuk janë lejuar të vegojnë dinarë në Kosovë, por nga Dogana e Kosovës kanë argumentuar se ia kanë sqaruar palës serbe se qarkullimi i mjeteve nuk lejohet pa autorizimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Bislimi ka thënë se Banka Popullore e Serbisë, ka dërguar një kamion mbushur me dinarë serbë në vlerë prej afër 1 milion eurosh drejt kufirit të Kosovës. Por, sipas zëvendëskryeministrit Bislimi, individët që po e përcillnin këtë mjet transportues, “u prezantuan me kredenciale të një kompanie inekzistente me pretendimin që paratë duan t’i dërgojnë te një entitet po ashtu inekzsitent në Kosovë dhe për interes të përfituesve, emrat e të cilëve as i dinë, e as nuk i kanë”.

“Nuk ka dyshim se kjo dёrgesё e tillё, pa asnjё koordinim, paraqet njё hap unilateral tё Serbisё, me qёllim tё shkeljes flagrante tё funksionalitetit tё institucioneve tё Republikës sё Kosovёs, synon krijim artificial tё tensioneve dhe si e tillë meriton tё dёnohet ashpёr nga gjithsecili qё kundёrshton hapat unilateral. Republika e Kosovёs qëndron plot vullnet qё tё punojё dhe ndihmojё nё gjetjen e mekanizmit qё siguron qё mjetet e tilla tё dёrgohen nё mёnyrё ligjore tek pёrfituesit fundor, dhe atё nё afatin sa mё tё shpejtё tё mundur”, ka shkruar Bislimi në “Facebook”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Autoritetet në Serbi kanë thënë se më 7 shkurt nuk…