
Bislimi dhe ambasadori i ri slloven flasin për dialogun dhe integrimin evropian të Kosovës
Zëvendëskryeministri i Kosovës në detyrë, Besnik Bislimi, të hënën ka mirëpritur në takim ambasadorin e ri të Republikës së Sllovenisë në Kosovë, Borut Blaj, të cilin e ka uruar për pozitën e re.
Në komunikatën për medie të qeverisë është bërë me dije se në këtë takim Bislimi e ka informuar ambasadorin Blaj mbi procesin e dialogut dhe takimin e fundit të nivelit të kryenegociatorëve të zhvilluar në Bruksel më herët gjatë muajit, ku sipas Bislimit përsëri është parë qartazi destruktiviteti i Serbisë në proces, tërheqja e saj nga Marrëveshja Bazike dhe Aneksi i Ohrit dhe bllokimi i formimit të Komisionit të Përbashkët për personat e zhdukur me dhunë.
Gjatë takimit po ashtu është diskutuar edhe rreth procesit të integrimit evropian të Kosovës.
“Zëvendëskryeministri në detyrë e falënderoi shtetin e Sllovenisë për partneritetin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në këtë rrugëtim, gjersa shprehu se vendi ynë vazhdon të ketë objektiv kryesor dhe të synojë marrjen e statusit të vendit kandidat”, ka njoftuar qeveria.