
Bislimi flet nga Brukseli, mohon se refuzoi ta takonte Petkoviqin
Kryenegociatori i Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka mohuar pretendimet e bashkëbiseduesit të tij nga Beogradi, Petar Petkoviq, se ka refuzuar një takim trepalësh në dialog.
Sipas Bislimit, takimi i përbashkët ka pasur për qëllim përgatitjen e takimit të ardhshëm të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raporton “Radio Evropa e Lirë” në gjuhën boshnjake.
“Kam insistuar që të takohem me Petkoviqin. Mirëpo, duket se për këtë nuk ka qenë e interesuar pala serbe, e cila më pas ka dalë para mediave, duke theksuar se Bislimi ka refuzuar. Kjo do të konfirmohet nga vetë kabineti i Lajçakut”, u ka thënë Bislimi gazetarëve në Bruksel.
Negociatorët kryesorë të Serbisë dhe Kosovës nuk u takuan të martën, megjithë përpjekjet e BE-së vazhdojnë për ta organizuar një takim të përbashkët.
Më shumë se dhjetë orë kanë zgjatur bisedimet në mes të përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian për dialog, Miroslav Lajçak dhe përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë.
Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se takimi i përbashkët nuk është zhvilluar për shkak se Bislimi kishte refuzuar.