
Bislimi: Për Kosovën s’ka partner më të mirë sesa BE-ja
Në Kuvendin e Kosovës po mbahet takimi i radhës i Komisionit Parlamentar për Stabilizim Asociim Bashkim Evropian-Kosovë. Në këtë takim ku po merr pjesë edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Në fillim, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se Kosovës i duhet ndihma e Bashkimit Evropian (BE)“si klubi socio-ekonomik më i pasur në botë”, ndërsa zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka cilësuar BE-në si partnerin më të mirë për Kosovën.
Kurti ka përmendur disa nga punët e qeverisë së tij, ndërsa ka kërkuar që zyrtarët e BE-së ta shtyjnë përpara çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.
Në anën tjetër zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se “si qeveri, llogarisim në përkrahje të vazhdueshme të Bashkimit Evropian gjatë rrugëtimit tonë përpara”.
Ai është shprehur se për Kosovën s’ka partner më të mirë sesa BE-ja dhe se Kosova s’ka alternativë tjetër më të mirë.
“Duke ritheksuar edhe njëherë se për Kosovën nuk ka partner më të mirë sesa Bashkimi Evropian dhe alternativë tjetër më të mirë, ju uroj punë të mbarë dhe diskutime konstruktive”, ka thënë Bislimi.