Bizneset dalin në treg të hapur, thonë se rryma iu shtrenjtua për 250%

01 qershor 2025 | 21:22

1 Qershori mund të jetë pritur me entuziazëm nga fëmijët, por jo edhe nga pronarët e bizneseve me mbi 50 punëtorë. Kjo datë shënoi hyrjen në fuqi të vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e tyre në tregun e hapur të energjisë.

Gjatë ditës, vetë ZRRE ua rikujtoi vendimin bizneseve dhe paralajmëroi pasojat nëse ato nuk zgjedhin një furnizues.

“Konsumatorët që mbesin pa furnizues, kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), por ZRRE thekson se qëndrimi te FMF është një mundësi e fundit për furnizim të garantuar, dhe se ky furnizim nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme, e as kushte të volitshme për konsumatorët”, ka theksuar ZRRE-ja.

Bizneset nuk e kundërshtojnë idenë e liberalizimit të tregut, por thonë se forma dhe koha e zgjedhur për zbatimin e tij është e papërshtatshme, duke theksuar se çmimi i energjisë do të rritet mbi 250% krahasuar me vitin e kaluar.

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), përmes një reagimi në rrjetet sociale, ka shprehur kundërshtim të ashpër ndaj vendimit, duke thënë se ai është marrë pa analizë të ndikimit ekonomik dhe do të ketë pasoja të rënda për afro 1300 biznese.

“Ky vendim ka detyruar afro 1300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, me çmime shumë më të larta dhe të papërballueshme. Do të sjellë pasoja të rënda për ndërmarrjet vendore”, thuhet nga AKB-ja.

Për biznesmenin Burim Piraj, ky nuk mund të quhet liberalizim i tregut, pasi ekziston vetëm një ofertues.

“Nuk ka liberalizim të tregut kur ka vetëm një kompani që ofron energji elektrike. Liberalizimi do duhej të ndodhte nga ofertuesit. Qeveria duhej të lejonte më shumë ofertues, të mos ketë monopol. Atëherë pse jo, ne nuk jemi kundër”, ka theksuar Burim Piraj, pronar i një biznesi.

Edhe ekonomisti Uran Radoniqi nuk e kundërshton parimisht liberalizimin, por thotë se në Kosovë ende nuk janë krijuar kushtet për një treg të hapur, siç ndodh në vendet e tjera evropiane.

“Përderisa nuk kemi konkurrencë në treg, atëherë kjo nuk ka logjikë. Liberalizimi i tregut nënkupton rritje të konkurrencës – dhe përderisa ajo mungon, nuk ka arsye të zbatohet”, ka theksuar Uran Radoniqi, ekonomist.

Sipas përfaqësuesve të bizneseve, siç kanë paralajmëruar edhe më herët, nëse vendimi nuk pezullohet, do të pasojnë protesta të reja./Dukagjini

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjës dhe Hercegovinës, Elmedin…