Bizneset delegojnë shqetësimet te kryetari i Prizrenit

31 tetor 2019 | 14:22

Rritja e taksave komunale, qendra e inovacionit, krijimi i komitetit për zhvillim ekonomik, mosfunksionalizimi i Zonës Ekonomike dhe kriteret për të qenë pjesë e saj, ishin ndër çështjet kryesore të diskutuara në takimin e përfaqësuesve të Odës së Afarizmit të Kosovës (OAK) me kryetarin e Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka.

Kryetari i Bordit të OAK-së, Skënder Krasniqi, ka falënderuar kryetarin Haskuka për pritjen, duke e njoftuar për aktivitetet dhe prioritetet e Odës.

Ai ka theksuar se ky takim u kërkua pasi që bizneset e konsideruan si të nevojshëm diskutimin për sfidat me të cilat ata po përballen me komunën gjatë organizimit “Kafja e Mëngjesit” në Prizren që OAK-u është duke i mbajtur në komuna.

Pronari i biznesit “Nutriwell”, Bujar Bilurdagi ka kërkuar nga Haskuka që të themelohet një komitet për zhvillim ekonomik, pasi që është mëse e nevojshme dhe do të ndihmonte bizneset e reja që të fokusohen në sektorët për të cilët komuna ka nevojë më shumë.

Ai ka shtuar se një nga problemet kryesore me të cilat bizneset po përballen është edhe mungesa e kuadrit profesional, gjë e cila po i vështirëson punët për bizneset.

Dashmir Badallaj, pronar i biznesit “Badallaj.5” SH.P.K. u fokusua tek ndryshimi i taksave komunale që parashihet të ndodhë nga viti 2020, duke theksuar se një ndryshim i tillë enorm do të ndikojë negativisht tek bizneset e kësaj komune, andaj edhe u kërkua që Haskuka të ndërmarr masat që janë nën kompetencë të tij.

Tafil Kalimashi, pronar i “Kosova Pack” SH.P.K. ka kërkuar që bizneset të informohen paraprakisht për kriteret që kërkohen të plotësohen nga bizneset për të qenë pjesë e Zonës Ekonomike.

Ndërsa, Edin Gashi pronar i “Dallas” SH.P.K. ka shtuar se infrastruktura që ka Zona Ekonomike është ndër arsyet kryesore pse bizneset janë të interesuara për të qenë pjesë e saj. Ndërsa, Bafti Ismajli nga gurthyesi “Fitimi Commerce” ka pohuar se problemet e bizneseve të sektorit minerar dhe vështirësitë që po hasin gjatë operimit.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar që Rregullorja për taksa është filluar nga Qeveria e kaluar dhe se janë bërë shumë ndryshime nga drafti fillestar, ndërsa ajo pritet të hyjë në funksion nga 1 janar 2020.

Ai ka shtuar se një nga problemet kryesore që po e hasin si komunë është reagimi i bizneseve ndaj vendimeve të ndryshme që ata po marrin, vetëm pas miratimit.

Zona Ekonomike është duke u përfunduar, mirëpo për ta lëshuar në funksion fillimisht duhet të merren disa pëlqime nga Ministritë, e për të cilën fillimisht duhet të pritet krijimi i Qeverisë së re, ndërsa kriteret për të qenë pjesë e saj janë të parapara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.

Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutua edhe qendra e inovacionit, ku përfaqësuesit e komunës theksuan që do të kenë përparësi bizneset për inovacion dhe teknologji si dhe industritë e lehta, por që ende nuk është e finalizuar.

Për fund kryetari Haskuka ka theksuar se Komuna e Prizrenit është e interesuar që të bëjë një strategji për zhvillim ekonomik dhe është e interesuar që të bashkëpunojë me komunitetin e biznesit.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kanë nisur bisedimet mes Komunës së Prishtinës dhe Federatës së…