Bizneset kërkojnë kthimin e bordit për shqyrtimin e ankesave

17 qershor 2019 | 11:21

Përfaqësues të odave të bizneseve në Kosovë dhe prodhues vendorë kanë kërkuar kthimin e bordit për shqyrtimin e ankesave që merrej ekskluzivisht me lëndët e natyrës komerciale. Ata kanë theksuar se në sistemin gjyqësor ka zvarritje të lëndëve me vite dhe se kapacitetet e Gjykatës së Apelit janë të kufizuara për t’u dhënë verdikt lëndëve që presin me vite të tëra.

Lidhur me këtë, Astrit Panxha nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës ka thënë për gazetën “Epoka e re” se bordi për shqyrtimin e ankesave sa më shpejt duhet të rifunksionalizohet.

“Ky bord duhet të kthehet dhe të jetë funksional sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë Panxha, duke shtuar se mosfunksionalizimi i këtij bordi është duke iu shkaktuar pengesa bizneseve në Kosovë për faktin se ato po përballen me vendime arbitrare dhe me procese të tejzgjatura gjyqësore

. “Lëndët janë duke u prolonguar me vite dhe kjo po shkakton mungesë të sigurisë ligjore për bizneset, ngadalësim të investimeve dhe rritjen e kompanive vendore”, është shprehur Panxha.

Edhe kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës, Skënder Krasniqi, ka kërkuar që të funksionalizohet ky bord. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se ekzistimi i Bordit për shqyrtimin e ankesave në të kaluarën i ka ndihmuar bizneset në zgjidhjen më të shpejtë të kontesteve të bizneseve.

“Bizneset vazhdojnë të paguajnë për lëndët që u shkojnë në gjykata dhe presin me vite që të zgjidhen ato. Tani kemi një përpjekje të qeverisë që ta kthejnë këtë bord. Kjo është më shumë një përpjekje simbolike dhe për konsum ditor sesa ta ketë efektin e vet. Andaj, ky bord prapë do të ketë probleme dhe nuk do të mund të funksionojë në formën e njëjtë”, ka thënë Krasniqi, duke shtuar se bordi i mëhershëm ka qenë i pavarur dhe tani po mendohet që të shkojnë përmes Kuvendit dhe t’i dërgojnë njerëzit e tyre. “Mos të harrojmë se grumbullimi i lëndëve është duke e penguar ardhjen e investitorëve të huaj”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shtuar se ankesat kryesore të bizneseve janë te mospagesat e rregullta dhe moszgjidhja e lëndëve gjyqësore ekonomike.

Prodhuesi vendor nga kompania “Meka”, Burim Piraj, ka thënë se bordi për shqyrtimin e ankesave ka luajtur një rol të madh ndërmjetësues i cili u ka mundësuar bizneseve të kenë vendime më të shpejta.

“Tani ka raste që marrin kohë deri në katër vjet derisa të arrihet te vendimi përfundimtar. Ky vendim nuk është i formës së prerë sa i përket kompensimit. Jo vetëm për firmën time, por për çdo kompani që ua mësyn investimeve në vendin tonë, me një sistem ankimor siç është ky, është shumë i dëmshëm. Mendoj se ka penguar shumë investime të cilat normalisht pasojnë dhe me humbje të hapjes së vendeve të reja të punës. Edhe institucionet duhet ta dinë se ky bord duhet të funksionalizohet sa më parë”, ka thënë Piraj.

Zëdhënësi i Gjykatës së Apelit, Arbër Jashari, ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” se në Gjykatën e Apelit janë vetëm dy gjyqtarë që merren me çështje ekonomike. Sipas tij, aktualisht janë të pakryera 477 lëndë të cilat janë trashëguar nga vitet paraprake.

Shatri: Veprim i gabuar shuarja e bordit të ankesave

Këshilltari për çështje ekonomike i kryeministrit, Haki Shatri, vendimin për ta shuar bordin për shqyrtimin e ankesave e ka vlerësuar të gabuar. Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se është më se i nevojshëm rifunksionalizimi i këtij bordi dhe se është bërë gabim kur është marrë vendim për suprimimin e këtij bordi.

“Me ndryshimin e Ligjit për Administratën Tatimore dhe procedurat është suprimuar bordi i ankesave si institucion i pavarur profesional dhe është zëvendësuar me Divizionin Fiskal të Departamentit për Çështje Administrative pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë. Me këtë ndryshim procedurat e ankimimit janë komplikuar dhe si rrjedhojë janë tejzgjatur. Koha e shqyrtimit të ankesave të palëve, siç deklarohen disa ankimues, është dy deri në tri vjet. Në anën tjetër, ankesa në divizionin fiskal palët që ankohen nuk i liron nga obligimi i deklaruar nga Administrata Tatimore apo nga doganat. Pala duhet ta shlyejë obligimin brenda afatit ligjor, njëkohësisht të ankohet. Kuptohet, nëse ankesa e palës është e arsyeshme. Vonesa e shqyrtimit të ankesës e dëmton palën”, ka thënë Shatri, duke shtuar se bordi i shqyrtimit të ankesave, i cili më parë ka pasur 15 anëtarë e më vonë është rritur në 17 anëtarë, ka qenë më efikas në aspekt të kohës.

Në këtë drejtim ai ka theksuar se përgjigjët u janë kthyer palëve në afat, brenda dy ose tri javëve. “Pasuesi i dytë të riformulohet si vijon: Me draft-ligjin për Administratën Tatimore dhe Procedurat i cili është përgatitur nga MF-ja dhe është dërguar në Zyrën Ligjore, pra është në procedurë të miratimit, është paraparë rikthimi i Bordit të Ankesave, përafërsisht siç ka qenë deri në fund të vitit 2012”, ka thënë ai.

Zërave që ky bord nuk mund të jetë i pavarur, Shatri u është përgjigjur: “Me të pavarur se kur të emërohen nga Kuvendi nuk mund të jenë në asnjë formë. Kuvendi nuk bën biznes. Ky bord nuk ka për t’i kontrolluar as shqyrtuar lëndët e Kuvendit, por do t’i shqyrtojë ankesat e bizneseve që eventualisht pretendojnë se u është bërë e padrejtë eventualisht nga Administrata Tatimore e Kosovës apo Dogana e Kosovës”, u shpreh ai.

Shatri ka deklaruar se menjëherë pas shqyrtimit duhet të nisë procedura e përzgjedhjes së kandidatëve. “Bordi sigurisht se do të paguhet nga buxheti qeveritar dhe do të jetë lehtësim për bizneset”, ka thënë Shatri.

Albulena S. MAVRAJ

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çmimet e naftës janë rritur të hënën, pasi sekretari amerikan…