Bizneset protestojnë kundër liberalizimit të tregut të energjisë elektrike

11 qershor 2025 | 11:29

“Mos na ndalni prodhimin”, “Liberalizimi i shpejtë i rrymës – monopol, jo konkurrencë”, “Pa transparencë – nuk ka treg të lirë” – këto janë disa nga pankartat në protestën që po mbahet sot në Prishtinë nga përfaqësues të bizneseve, kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), për liberalizimin e tregut të energjisë, ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas këtij vendimi, të gjitha kompanitë private dhe publike që kanë mbi 50 të punësuar ose një qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, janë në treg të hapur dhe furnizohen me energji me çmime të parregulluara nga shteti.

Më shumë se 1.300 biznese private tashmë janë pjesë e këtij tregu.

Megjithatë, vendimi ka shkaktuar reagime të forta dhe shqetësime të shumta nga komuniteti i biznesit.

Sipas tyre, çmimet e ofruara nga furnizuesit e licencuar janë dukshëm më të larta se ato që më parë rregulloheshin nga shteti.

Për më tepër, një pjesë e kompanive furnizuese nuk kanë paraqitur ende oferta konkrete për bizneset.

Bizneset janë furnizuar me energji nga Operatori për Furnizim me Energji, KESCO, me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.

Ndërsa nga data 1 qershor, ato është dashur të zgjedhin vetë furnizuesin komercial të energjisë, me çmime të tregut.

Aktualisht, në vend janë të licencuara 21 kompani furnizuese tregtare, ndërsa një tjetër është në proces licencimi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka…