Bizneset sërish në protestë kundër liberalizimit të tregut të energjisë

10 qershor 2025 | 11:20

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), së bashku me përfaqësues të bizneseve nga e gjithë Kosova, sërish do të mbajnë një protestë të mërkurën, nga ora 11:00 deri në 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë.

Kjo protestë synon të kundërshtojë mënyrën se si bizneset janë detyruar të hyjnë në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa pasur përgatitje të mjaftueshme.

Kryetari i OEK-së, Lulzim Rafuna, në një konferencë për medie, theksoi se protesta do të jetë paqësore dhe bëri thirrje që Qeveria të rishikojë vendimin e marrë, raporton “Telegrafi”.

Ai tha se kërkojnë një afat njëvjeçar dhe një paketë ligjore për të lehtësuar tranzicionin për bizneset dhe për të mbrojtur qytetarët. “Protesta do të mbahet nesër nga ora 11:00 deri në 12:00. I ftojmë të gjithë ata që preken nga ky vendim të na bashkohen për të mirën e vendit. Kërkojmë që Qeveria të reflektojë dhe të mbështesë biznesin dhe ekonominë, duke dhënë një afat të përshtatshëm për kalimin në tregun e lirë dhe duke përgatitur masa ligjore për këtë tranzicion”, ka thënë Rafuna.

Ai shtoi se, nëse Qeveria nuk ndryshon qëndrim, bizneset do të detyrohen të vazhdojnë protestat.

Rafuna kritikoi gjithashtu ZRrE-në për mungesën e përgatitjes dhe ofertave të mjaftueshme për konsumatorët në tregun e lirë të energjisë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit (AKB), Agim Shahini, ka deklaruar se takimi me përfaqësuesit e KEK-ut nuk solli përgjigje të kënaqshme dhe shprehu se pakënaqësitë e bizneseve do të shprehen në protestë.

“1300 biznese dhe familjet e punëtorëve të tyre janë në një situatë të vështirë. Ndërsa bizneset vazhdojnë të ofrojnë shërbimet e tyre, njëkohësisht po përgatiten për protestën e nesërme, e cila pritet të jetë shumë e madhe”, ka theksuar Shahini, duke kërkuar që Qeveria të shtyjë zbatimin e vendimit për një vit.

Skender Krasniqi, kryetar i Dhomës së Tregtisë në Kosovë, ka thënë se nga 1300 biznese që janë përfshirë në procesin e liberalizimit, vetëm tri kanë arritur marrëveshje me KEK-un.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kombëtarja shqiptare do të zbresë përsëri sonte në fushën e…