Biznesi ka nevojë për një zë të përbashkët rajonal, jo për kufij dhe pengesa administrativë
Agim Shahini, kryetar i AKB-së ishte pjesë e panelit të organizuar nga OEMVP, ku diskutua për të ardhmen e odave ekonomike dhe rolin e tyre në zhvillimin e biznesit.
Ai theksoi se transformimi i odave nuk duhet të mbetet vetëm në nivel lokal apo shtetëror.
“Në një ekonomi gjithnjë e më të ndërlidhur, është jetike që odat e Ballkanit Perëndimor të ndërtojnë një rrjet të fuqishëm rajonal, që flet me një zë të përbashkët për interesat e biznesit, tregtinë e lirë, investimet dhe konkurrueshmërinë”.
“Bizneset përballen me sfida të ngjashme në të gjithë rajonin dhe zgjidhjet kërkojnë bashkëpunim më të madh, koordinim më të fortë dhe përfaqësim më të unifikuar para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, tha ai.
Shahini ka shtuar se: “Vetëm të bashkuar mund të krijojmë një mjedis më të favorshëm për biznesin, investimet dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm në Ballkanin Perëndimor e në veçanti Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri”, tha Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve.



