
BKK-ja u shpërndan libra bibliotekave publike dhe shkollore
Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur sot shpërndarjen e librave nëpër komunat e Kosovës, duke vazhduar në këtë mënyrë mbështetjen për rrjetin e bibliotekave publike dhe shkollore.
Kontingjenti i ri përfshin 87 tituj, me 1 097 ekzemplarë të përzgjedhur nga fondi i shtëpisë botuese “Rilindja”, me literaturë të rekomanduar që u shërben sidomos nxënësve të nivelit parauniversitar.
Pjesë e kësaj shpërndarjeje janë edhe dy botime të veçanta me vlerë të madhe historike dhe kulturore:
“Kujtesa e Kosovës: Rrëfime të 100 pleqve e plakave të Kosovës” dhe “Kujtesa e Kosovës: rrëfimet e të mbijetuarve të masakrës së Krushës së Madhe”.
Bibliotekat e Suharekës dhe e Rahovecit janë të parat që kanë pranuar këtë kontingjent, ndërsa në ditët dhe javët në vijim shpërndarja do të vazhdojë në komunat e tjera.
Librat e shtëpisë botuese “Rilindja” do të dërgohen nga bibliotekat komunale në bibliotekat e shkollave për të kontribuar në pasurimin dhe përmirësimin e koleksioneve ekzistues.