BKK koleksionon materialet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore

30 korrik 2025 | 13:04

Biblioteka Kombëtare e Kosovës (BKK) në llogaritë e veta në rrjete sociale ka njoftuar se ka nisur evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore.

BKK ka bërë me dije se ky koleksion do të jetë i gatshëm për përdorim nga studiues, artistë, studentë dhe publiku i gjerë, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore.

Po ashtu, ka njoftuar se materialet janë në gjuhë të ndryshme, si: anglisht, gjermanisht, turqisht, kroatisht, koreanisht, tajvanisht, bullgarisht, maqedonisht, shqip etj., botime nga Evropa, Azia, Amerika, Ballkani Perëndimor etj.

Më poshtë njoftimi i plotë i BKK-së:

“Një grup bibliotekarësh dhe studiuesish po punojnë për evidentimin, klasifikimin dhe organizimin e koleksionit të artit bashkëkohor që ndodhet në Bibliotekën e Arteve Bashkëkohore, pjesë e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës.

Përmbajtja e koleksionit përfshin:

  • Libra tematikë dhe monografi për artistë të njohur ndërkombëtarë dhe vendorë
  • Katalogë ekspozitash dhe retrospektivash
  • CD, DVD dhe materiale digjitale me dokumentarë dhe performanca artistike
  • Pllaka vinili dhe regjistrime arkivore audio eksperimente
  • Revista dhe botime periodike për zhvillimet bashkëkohore në art dhe kritikë artistike
  • Kaseta magnetofoni

Materialet janë në gjuhë të ndryshme, si: anglisht, gjermanisht, turqisht, kroatisht, koreanisht, tajvanisht, bullgarisht, maqedonisht, shqip etj., botime nga Evropa, Azia, Amerika, Ballkani Perëndimor etj.

Figura kryesore të koleksioneve janë: Salvador Dalí, Pablo Picasso, Jean-Antoine Watteau, Mario Sironi dhe artistë të tjerë modernë dhe bashkëkohorë.

Procesi i punës përfshin tri faza kryesore:

  1. Evidentimi dhe regjistrimi:

Çdo material dokumentohet me detaje të përmbajtjes, origjinë dhe gjuhë, duke krijuar një inventar të plotë të koleksionit.

  1. Klasifikimi alfabetik:

Materialet organizohen në mënyrë alfabetike për të lehtësuar kërkimin dhe qasjen nga përdoruesit.

  1. Renditja fizike në rafte:

Materialet vendosen në rafte sipas klasifikimit, duke siguruar qasje të drejtpërdrejtë për publikun dhe studiuesit.

Ky projekt synon të ruajë dhe dokumentojë fondin ekzistues, ta përmirësojë qasjen në materiale të specializuara dhe ta nxisë kërkimin shkencor në fushën e artit bashkëkohor.

Në përfundim të punës, koleksioni do të jetë i gatshëm për përdorim nga studiues, artistë, studentë dhe publiku i gjerë, duke kontribuar në promovimin e trashëgimisë kulturore bashkëkohore”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Rey Manaj ka vendosur që…