Bleart Tolaj, ‘Ylli i Javës’ në Superligë
Federata e Futbollit e Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëmbëdhjetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Ballkani, Bleart Tolaj, i cili ka shënuar dy gola në fitoren e ekipit të tij kundër Malishevës në transfertë, e cila përfundoi me rezultatin 0:5.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit në përbërje të Naser Bunjaku, Shyqeri Salihu dhe Zenel Shabanit.
Pasi mori këtë çmim, Tolaj është shprehur i lumtur që u vlerësuar si lojtari më i mirë i javës.
“Ndeshjet kundër FC Malishevës janë gjithmonë të vështira dhe nuk e kemi pritur që fitorja do të ishte kaq e lehtë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë, sepse nuk po mungojnë rezultatet. Jemi në rrugën e duhur për synimin tonë – të shpallemi kampionë. Falënderoj ekipin për mbështetjen dhe është një privilegj të shpallem “Ylli i javës”, sidomos në këtë edicion që ka shumë cilësi individuale”, ka thënë ai për faqen zyrtare të FFK-së.



