“Bleibende Spuren”, përfaqëson fatin e mijëra shqiptarëve

11 qershor 2019 | 11:41

-Intervistë me autoren e librit “Bleibende Spuren”, Basrie Sakiri-Murati

Lulëzim ETEMAJ

Këto ditë Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag”, një nga shtëpitë botuese më prestigjioze në Zvicër, e ka botuar librin me kujtime të shqiptares së Kosovës, Basrie Sakiri-Murati, “Bleibende Spuren”. Autorja e librit është veprimtarja e dalluar politike, ish-pjesëtare e “Çetës së Lllapit”, e njohur si “Shqipja”.

Në intervistën që e zhvilluam për gazetën “Epoka e re”, Basrie Sakiri-Murati, krahas të tjerash, tregon motivin prijës për ta botuar librin në gjuhën gjermane; shpjegon përmbajtjen e librit; çfarë konkretisht u ofron lexuesve gjermanofonë, posaçërisht atyre shqiptarë, të lindur në mërgim; jetën e saj mes dy botëve, dy kulturave.

Me këtë rast, autorja i hedh një shikim të veçantë, nga këndvështrimi i sotëm, gjimnazistes, pjesëtares së Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare të Kosovës, “Shqipes” së “Çetës së Llapit”, angazhimeve politike atdhetare, ëndrrave dhe idealit të saj dhe të bashkëveprimtarëve të saj.

Cili ka qenë motivi juaj bazë kur keni vendosur t’ia ofroni lexuesit gjermanofon gjurmët e pashlyeshme (“Bleibende Spuren”) të një shqiptareje të Kosovës?
Basrie Sakiri-Murati: Njeriu me sjelljen dhe veprën e tij e reflekton jo vetëm vetveten, por edhe familjen, shoqërinë dhe atdheun e tij. Qëllimi im ishte që lexuesit gjermanofon jo vetëm t’i ofroj ngjarje të jashtëzakonshme nga e kaluara ime, por edhe ta informoj se çfarë përjetuam ndër vite me radhë nën një pushtues siç ishte Serbia. Janë vetë reagimet pozitive të lexuesve të “Gjurmë të pashlyeshme…”, si dhe interesimi i miqve zviceranë për ta lexuar librin tim, që më shtynë t’i përvishem punës dhe përktheva “Gjurmë të pashlyeshme…” në gjermanisht. Shtëpia Botuese e mirënjohur “Rotpunktverlag” në Zürich më ofroi mundësinë ta botoj librin, kështu që në prillin e vitit të kaluar fillova së shkruari vazhdimin e “Gjurmë të pashlyeshme…”, i cili tani është në duar të lexuesit me titullin “Bleibende Spuren” (Gjurmë të përhershme).

Libri përmban dy pjesë. Çfarë i ofroni lexuesit në pjesën e parë dhe në të dytën?
Basrie Sakiri-Murati: Në pjesën e parë e përshkruaj jetën time dhe aktivitetet e mia si dhe bashkëveprimtarëve në Kosovë. Si e re u aktivizova herët në veprimtarinë atdhetare, e frymëzuar nga familja dhe rrethi shoqëror. Në fund të viteve 1980, atëkohë gjimnaziste, isha e angazhuar që të jap kontributin tim për një shtet të pavarur e të lirë, për Kosovën republikë. Aktivistët liridashës atdhetarë, në mesin e tyre edhe unë, iu ekspozuan persekutimeve, ishin të kërcënuar me burgime, tortura e vrasje. Për arsye të njohura, mua më është dashur që ta rris shkallën e vigjilencës dhe veprimtarinë ta vazhdoj në fshehtësi të thellë. Kjo formë e të jetuarit është e mbushur me plot rreziqe. Asnjë minutë të vetme nuk kishim siguri. Pa mbështetjen dhe përkrahjen e popullit ne nuk kishim pasur mundësi të mbijetojmë gjatë në Kosovë. Situata u tendos tej mase, kështu që pas tre muaj jete kaçakçe u detyrova të arratisem nga atdheu im.
Kurse në pjesën e dytë e kam përshkruar udhëtimin tim të gjatë, jetën time prej një mërgimtareje të ngarkuar me shqetësimin për vendin tim, për ndodhitë e përditshmërisë dhe ballafaqimin me një situatë tjetër, në përpjekje për t’u kyçur në një shoqëri pa komplekse politike, gjinore e klasore, në përcaktim të detyrimeve për një jetë të pavarur profesionale.
Me arritjen time në Zvicër, në mes të tjerash ndesha edhe vetminë e pamëshirë. U bëra, si të thuash, e fortë për të përballuar shumë vështirësi, por gjithmonë duke pasur dhe ushqyer dashurinë për lirinë e vendit tim. Në këtë pjesë kam shkruar për hapat integrues dhe për perspektiva të reja jete, për sukseset që më falnin lumturinë personale, por edhe për zhgënjimet e vuajtjet të cilat nuk më kursyen si pasojë e dështimeve të shumta në vendin tim, por dhe në diasporë. Ndër të tjera, në libër rrëfej se sa e vështirë ishte ndjenja të jesh e pafuqishme, kur shihja nga distanca se çka përjetonte familja ime dhe përgjithësisht shqiptarët në luftën e Kosovës, në pamundësi që t’u vija në ndihmë. Me një fjalë, kjo pjesë përmban jetën time në Zvicër, në diasporën shqiptare; një jetë mes dy botëve, mes dy kulturave.

Shtëpia botuese zvicerane “Rotpunktverlag” këtë vit e ka fituar titullin Shtëpia Botuese e Vitit në Zvicër. Cila është përvoja juaj e bashkëpunimit me të?
Basrie Sakiri-Murati: Shtëpia Botuese “Rotpunktverlag” më ofroi mundësinë ta botoj librin tim ngaqë tek ajo zgjoi interesim të madh motivi i tij. Me botimin e librit tim nuk më ka dhënë vetëm mua një shans, por e ka respektuar edhe gjithë popullin tim dhe historinë tonë të lavdishme. Shkrimin e librit, duke pasqyruar një të kaluar plot sakrifica e ngjarje të dhimbshme, e bëra krahas punës profesionale, kështu që shpesh më mungonte koha dhe fuqia e duhur. Mirëpo ishte sjellja tejet humane dhe bashkëpunimi korrekt me ekipin e Shtëpisë Botuese “Rotpunktverlag”, posaçërisht me lektorin, zotërinë Adrian Flückiger, që më motivoi dhe dhuroi energji. Ata tek unë vulosën edhe një herë më shumë bindjen time, se sa të saktë, të përpiktë e të ndershëm janë zviceranët në punë dhe profesion. Edhe pse ishte një vit shumë intensiv, ishte një përvojë e mrekullueshme me “Rotpunktverlag” dhe do t’u jam të gjithëve përherë mirënjohës.

Cilët janë tre kryeheronjtë e librit? Njëkohësisht na shpjegoni ju lutem për secilin veç e veç, se përse këta të tre e meritojnë këtë epitet?
Basrie Sakiri-Murati: Libri im ka më shumë se tre kryeheronjë dhe po të filloj të shpjegoj për secilin prej atyre, atëherë më duhen faqe të tëra ta përshkruaj gjithë atë heroizëm. Gjatë tre muajve që kam qëndruar e fshehur në Kosovë, në kujtesën time kam më shumë se tridhjetë kryeheronjë e kryeheroina e jo vetëm tre. Ata për lirinë e Kosovës nuk kursyen as jetën. Na ushqyen e strehuan neve dhe rrezikuan edhe fëmijët në djep. Pa mbështetjen e tyre ne nuk do të kishim pasur mundësi të mbijetonim më tepër se disa ditë në fshehtësi të thellë, se lëre më me muaj të tërë. Përgjigjen më të saktë në këtë pyetje ua lë lexueseve që ta zbulojnë vetë në brendinë e librit.

Si e shihni nga këndvështrimi i sotëm pjesëtaren e “Çetës së Llapit”, “Shqipen”?
Basrie Sakiri-Murati: “Shqipja” ishte një vajzë e një moshe të ndjeshme të rinisë, në një fazë të kërkimit dhe krijimit të identitetit e të personalitetit të saj. Ajo është një vajzë e padjallëzuar, si çdo vajzë e moshës së saj, me dëshirë të pafund ta zbuloj e ta njoh jetën dhe ta mësoj botën e të rriturve. “Shqipja” kishte një kapacitet të mirë t’i vërejë dhe t’i resorbojë gjërat ashtu siç ishin. Relacioni i saj me gjërat dhe rrjedhjen e tyre ka qenë i sinqertë. Çdo gjë e ka marrë me seriozitet dhe e ka resorbuar ashtu siç ishte, pa e interpretuar. Ndjeshmëria e saj ndaj rrjedhave ishte spontane, autentike, prej nga buronin emocione të të gjitha llojeve, që e kompletonin atë si individ. Fakti i kuptimit dhe vetëdijshmëria për kontekstin dhe situatën në vendin e saj, përjetimet e padrejtësisë nga popullata shqiptare, diskriminimi dhe persekutimet masive nga regjimi serb, ishin elemente iniciuese të burimit të një energjie nga thellësia e personit të saj, që të angazhohet në një aktivitet të organizuar, me synim të ndryshimit të rrethanave në vendin e saj. “Shqipja”, si e padjallëzuar që ishte, kishte një besim të pafund në ndryshime. Ajo besonte në shokët e grupit të saj, besonte në idealet dhe kapacitetin e realizimit të idealeve të tyre, besonte në familjen e saj, besonte në shoqërinë e gjerë, besonte në popullin e saj, besonte në shumëçka. Ajo mosbesim kishte vetëm ndaj armikut. Ky besim e bënte të ndihet e fortë, i jepte energji. Nga ky besim dhe dashuria ndaj popullit të saj, “Shqipes” i shtohet vullneti dhe vendosmëria të sakrifikohet për t’i ndryshuar rrethanat në vendin e saj.

Sado që përurimi i librit, që e keni pasur këto ditë në Zürich, ishte organizuar nga botuesi, krahas zviceranëve, kishte të pranishëm edhe shqiptarë. Kjo flet për interesimin edhe të shqiptarëve për ta lexuar librin tuaj, ani pse në gjuhën gjermane. Ku mund ta gjejnë librin të interesuarit që jetojnë në Zvicër, Gjermani dhe Austri?
Basrie Sakiri-Murati: Prania e bashkatdhetarëve në përurim më ka dhënë shumë kurajë dhe e kam ndjerë veten tejet të lumtur në mesin e tyre. “Bleibende Spuren” pasqyron jo vetëm rrugëtimin tim, por përfaqëson fatin e mijëra shqiptarëve. Prandaj më gëzon fakti se edhe lexuesi shqiptar tregon interesim për ta lexuar librin. Të gjithë të interesuarit librin mund ta gjejnë ose porosisin në të gjitha libraritë, si në Zvicër ashtu edhe në Austri e Gjermani. Gjithashtu, mund ta porosisin edhe online te “Rotpunktverlag” dhe në libraritë e mëdha që kanë faqe interneti.

Kur është fjala për lexuesin shqiptar, çfarë u ofron libri juaj posaçërisht të rinjve shqiptarë të lindur në vitet ’90 në mërgim, kur kemi parasysh faktin që kjo gjeneratë nuk e ka përjetuar me praninë fizike periudhën e paraluftës së Kosovës, e cila është pjesë e këtij libri?
Basrie Sakiri-Murati: Jam shumë e lumtur që kjo gjeneratë nuk e përjetoi fizikisht atë periudhë gjakthithëse, siç e përjetuan bashkëmoshatarët shqiptarë në Kosovë! “Bleibende Spuren” iu ofron atyre ngjarje të dhimbshme, por edhe një histori të lavdishme. Në libër, ndër të tjera, pasqyroj edhe zemërgjerësinë, traditën dhe kulturën shqiptare, gjë që për të rinjtë e kësaj gjenerate do të jetë tërheqëse, edhe pse jam më se e bindur se ata këtë temë e kanë gjithmonë prezentë nga prindërit e tyre. Libri im nuk është vetëm një histori e jetës që dua t’ia dhuroj lexuesit, por është edhe një mesazh për rininë e sotme, se si mund të angazhohet e të kontribuojë, se si mund të dalë nga situata të vështira me të cilat mund të ballafaqohet në jetë.

A planifikoni që libri “Bleibende Spuren” t’i ofrohet lexuesit edhe në gjuhën shqipe?
Basrie Sakiri-Murati: Dëshira ime, që librin “Bleibende Spuren” ta përkthej në gjuhën e nënës dhe t’ia ofroj lexuesit, ka qenë qysh në ditën e parë që kam filluar ta shkruaj. Kjo do të ishte shumë e rëndësishme, por do t’ia lëmë kohës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gjiganti amerikan i tregtisë online “Amazon” ka tejkaluar kompanitë në…