
‘Blejmë kur ka aksione’: Familjet në Kosovë nën presionin e inflacionit
Teuta Halimi, rreth të 40-tave, hap derën e dyqanit dhe del me pak gjëra. Çmimet janë rritur aq shumë, saqë çdo javë thotë se i duhet të shkurtojë listën e blerjeve.
Jeton në Prishtinë me bashkëshortin dhe dy fëmijët, punon në sektorin publik dhe merr një pagë prej rreth 630 eurosh në muaj.
“Qumështi, vaji, kafeja, sheqeri – të gjitha janë shtrenjtuar. Për t’i mbuluar vetëm gjërat bazike, do të duheshin tri paga”, thotë Teuta për Radion Evropa e Lirë.
Bashkëshorti i saj punon, por pagat e tyre shkojnë pothuajse tërësisht për ushqime dhe fatura, duke e bërë çdo muaj sfidë për familjen.
“Po shpenzojmë më shumë, por po blejmë më pak. Blejmë vetëm kur artikujt janë në aksion (në zbritje)”, thotë Teuta.
E, situata e saj reflekton realitetin e shumë familjeve në Kosovë.
Një anketë e Institutit Ndërkombëtar Republikan (IRI), e realizuar në periudhën maj-korrik të këtij viti, tregon se 45% e qytetarëve të Kosovës e konsiderojnë koston e jetesës dhe çmimet e larta si problem kryesor – një rritje e ndjeshme krahasuar me 28% vitin e kaluar.
Kjo përqindje është, po ashtu, më e larta mes pesë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Pas 45 vjetësh punë, të varur nga ndihma e fëmijës
Pensionistët dhe familjet me të ardhura të ulëta janë më të prekur nga rritja e çmimeve – shpesh të detyruar të heqin dorë nga produktet e caktuara ose t’i shtyjnë pagesat e domosdoshme.
Xhylnaze Hima dhe Muharrem Vataj kanë punuar për rreth 45 vjet, por sot jetojnë me dy pensione që bashkë kanë vlerën e 440 eurove.
“Në përgjithësi, ushqimet janë shtrenjtuar pa masë dhe pa kontroll. Sot qumështi ka një çmim, nesër krejt tjetër”, thotë Muharremi, ndërsa bashkë me Xhylnazen qëndrojnë të ulur në një park në kryeqytet.
Edhe ky çift thotë se përpiqet të kursejë duke blerë kryesisht gjatë aksioneve në dyqane.
Por më e dhimbshmja, thotë Xhylnazja, është se pas gjithë viteve të punës, tani janë të detyruar të varen nga ndihma e vajzës së tyre që jeton në Shtetet e Bashkuara.
“Na vjen keq për të. Ne kemi kontribuar gjithë jetën, e tani pensioni nuk na mjafton. Vajza na thotë: ‘Mos u mërzisni, kërkoni çfarë ju nevojitet’…”, rrëfen Xhylnazja.
Rritje e inflacionit
Të dhënat e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se inflacioni, që reflekton rritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, është rritur për 4.5% në gusht krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Rritja më e ndjeshme u regjistrua tek energjia elektrike, me 17%, e ndjekur nga produktet ushqimore dhe pijet joalkoolike, që u shtrenjtuan për 9.2%.
Për shembull, në gusht të vitit 2024, një litër vaj kushtonte 1.43 euro, krahasuar me 1.66 euro muajin e kaluar, ndërsa pakot e vezëve u shtrenjtuan nga 2.50 euro në 3.55 euro.
Profesori i Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, Arbër Hoti, thotë se inflacioni nuk është thjesht një shifër statistikore – ai përkthehet drejtpërdrejt në ulje reale të fuqisë blerëse të qytetarëve.
“Me çdo euro që një familje fiton sot, blen më pak produkte dhe shërbime sesa blinte një vit apo dy vjet më parë”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Inflacioni në Kosovë kulmoi në mbi 14% në vitin 2022, pas krizës së tregjeve që pasoi luftën në Ukrainë.
Ai ra gradualisht duke arritur një mesatare vjetore prej rreth 2% vitin e kaluar, por tani është rikthyer në rreth 4-5%.
Hoti thotë se Kosova është veçanërisht e ndjeshme ndaj inflacionit, pasi shumica e produkteve konsumohen nga importet – duke importuar indirekt edhe rritjen e çmimeve jashtë.
“Pasojat për qytetarët janë të prekshme: standardi i jetesës ka rënë, shporta e konsumit është ngushtuar, artikujt joesencialë kanë dalë nga lista dhe pasiguria ekonomike është rritur. Kjo e bën të vështirë planifikimin, kursimet dhe investimet afatgjata, si blerja e një banese apo nisja e një biznesi”, thotë Hoti.
Në anketën e realizuar nga IRI, shumica e qytetarëve të anketuar në Kosovë e kanë përshkruar gjendjen e tyre ekonomike si “disi të mirë”.
Shpenzimet vs. pagat
Një hulumtim i publikuar vitin e kaluar nga Instituti për Politika Sociale në Prishtinë “Musine Kokalari” ka gjetur se një familje 4-anëtarëshe në Kosovë shpenzon mesatarisht mbi 1.100 euro në muaj për ushqim, strehim, arsim, shëndetësi dhe transport.
Në zonat urbane shpenzimet arrijnë mbi 1.200 euro, ndërsa në ato rurale rreth 1.090 euro.
Paga mesatare bruto vitin e kaluar ishte 639 euro, ndërsa paga minimale 350 euro.
Sipas hulumtimit, vetëm një në pesë paga mund të konsiderohej pagë jetese.
Por, edhe me rritjet e këtij viti, që e kanë çuar pagën mesatare në rreth 865 euro, shumica e familjeve nuk arrijnë t’i mbulojnë kostot bazike të jetesës.
Sipas profesorit Hoti, ky hendek mes të ardhurave dhe shpenzimeve ushtron presion të vazhdueshëm mbi buxhetet familjare, duke shtuar borxhin konsumator dhe duke vështirësuar pagesën e qirasë, kredive dhe shërbimeve.
“Kjo gjendje krijon stres financiar, cenon mirëqenien mendore dhe dëmton marrëdhëniet sociale, duke krijuar ankth dhe pakënaqësi të thellë në shoqëri”, thotë Hoti.
Hoti thotë se për t’u përballur me presionin e rritjes së çmimeve, nevojitet një qasje e koordinuar mes institucioneve dhe familjeve.
Sipas tij, asistenca sociale duhet të zgjerohet, të digjitalizohet dhe të përshtatet me inflacionin.
Subvencionet e përgjithshme thotë se duhen shmangur, dhe të garantohet mbrojtja e konsumit bazë të energjisë për familjet më të ndjeshme.
Po ashtu, kërkohet investim në efikasitet – nga izolimi i banesave deri te pajisjet kursyese – si dhe forcim i konkurrencës në treg për të frenuar abuzimet me çmime, sidomos në sektorin e ushqimit dhe energjisë, shpjegon Hoti.
“Qytetarët nuk mund ta zgjidhin vetë inflacionin – kursimi është vetëm mbrojtje, jo zgjidhje”, shton ai.
Hoti thekson se është detyrë kushtetuese dhe morale e institucioneve që të krijojnë një mjedis ekonomik të qëndrueshëm, ku qytetarët nuk detyrohen thjesht të “mbijetojnë”, por të kenë mundësi të “jetojnë” dhe të ecin përpara.
Qeveria në detyrë e Kosovës nuk është përgjigjur në pyetjet e Radios Evropa e Lirë nëse po shqyrton masa konkrete për të lehtësuar këtë barrë.
Më herët, zyrtarë të saj kanë thënë se Kosova ka ekonomi të lirë të tregut dhe se institucionet e saj nuk mund ta kontrollojnë lëvizjen e çmimeve.
Në disa raste, ajo ka ndarë subvencione, si për energji elektrike apo për pajisje efiçiente të ngrohjes.
Për Teutën, zgjidhje është rritja e pagave.
“Çmimet e produkteve në tregun e Kosovës janë të njëjta si në tregun evropian, kështu që edhe pagat duhet të jenë në nivelin e pagave evropiane – mbi 1.000 euro”, përfundon ajo. /REL