
Blendi Baftiu, “Ylli i Javës” në Superligë
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e tetë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë futbollistit të FC Prishtina, Blendi Baftiu, i cili ka shënuar golin e vetëm në ndeshje, kundër rivalit direkt për kreun e tabelës FC Ballkani, e cila përfundoi me rezultat 1:0. Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi ka marrë këtë çmim, Baftiu është shprehur i lumtur që është vlerësuar si lojtari më i mirë i javës: “Kemi pasur një start shumë të mirë të këtij sezoni si me ekipin, ashtu edhe në aspektin personal. Ndeshja e fundit është pasqyra më e mirë e këtij fillimi pozitiv, sepse ishte derbi kundër Ballkanit dhe një emocion i veçantë, meqë ndeshjen e fituam në minutat e fundit. Më vjen mirë që, falë golit tim, fituam tre pikë dhe këtë çmim ia dedikoj bashkëlojtarëve, të cilët japin kontribut shumë të madh, si edhe ‘Plisave’, të cilët nuk mungojnë në asnjë ndeshje dhe janë një shtysë shumë e madhe për ne. Atmosfera është shumë e mirë në ekip, dhe kjo është falë rezultateve që kemi arritur. Pretendimet e Prishtinës, si ekipi më i madh në vend, janë gjithmonë titulli kampion. Ndjehem shumë mirë që jam vlerësuar si lojtari më i mirë i javës, dhe më vjen mirë që po kontribuoj. Shpresoj ta ruaj këtë formë edhe në vazhdim dhe ta ndihmoj skuadrën në ndeshjet e ardhshme”, ka thënë Baftiu për faqen zyrtare të FFK-së.