Blerim Kuçi fton qytetarët në protestën e 17 shkurtit për mbrojtjen e vlerave të UÇK-së
Ish-komandanti i UÇK-së dhe zyrtari i lartë i LDK-së, Blerim Kuçi, ka ftuar qytetarët që të marrin pjesë në protestën e organizuar nga iniciativa “Liria ka Emër”, e cila do të mbahet më 17 shkurt në ora 14:00, në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Përmes një thirrjeje publike, Kuçi ka theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në këtë protestë, duke e cilësuar atë si një mobilizim në mbrojtje të vlerave të luftës së UÇK-së.
“Protestë për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së më 17 shkurt. Aty do të jemi, dhe ju ftojmë të jeni”, ka shkruar ai.
Sipas Kuçit, UÇK-ja përfaqëson një nga vlerat më të mëdha historike të kombit shqiptar, veçanërisht në historinë moderne. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos hezitojnë dhe të dalin në mbrojtje të asaj që e ka quajtur “margaritar historik kombëtar”.
Protesta pritet të mbahet në ditën e shënimit të përvjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në kryeqytet.



