Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike në Shtërpcë
Policia e Kosovës ka njoftuar se më 26 dhjetor rreth orës 21:30, në fshatin Drajkovc, një automjet i tipit Audi Q8, me targa vendore, nuk është ndalur për kontroll nga patrulla policore dhe ka vazhduar lëvizjen.
Pas asistimit nga një patrulle tjetër, automjeti është ndalur në qendër të Shtërpcës.
Gjatë kontrollit të automjetit dhe personave, në bagazhin e automjetit janë gjetur dhe sekuestruar 10 cigare të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë totale 10.52 gramë.
Në automjet ndodheshin katër persona, ndërsa i dyshuari, mashkull (18 vjeç) ka pranuar se substanca narkotike i përket atij.
Në lidhje me rastin është njoftuar Njësia Anti-Drogë dhe prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore, përfshirë intervistimin e të dyshuarit në prani të avokatit sipas detyrës zyrtare.
Pas procedurave të nevojshme, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tre personat tjerë janë intervistuar në cilësi të dëshmitarëve.
Policia Rajonale e Ferizajt mbetet e përkushtuar në luftimin e dukurive të paligjshme, veçanërisht atyre që lidhen me narkotikët dhe apelon tek qytetarët që të bashkëpunojnë me policinë, duke raportuar çdo informacion të dyshimtë në numrin kujdestar 192 dhe në platformën digjitale “Lajmëro policinë” .



