Blerta Bajrami përfundon misionin humanitar në Namibi: “Një udhëtim që më ndryshoi përgjithmonë”
Blerta Bajrami është rikthyer në Holandë pas një qëndrimi dhjetëditor në Namibi, një udhëtim që, sipas saj, kishte një domethënie dhe qëllim krejtësisht të veçantë. Ndonëse ka vizituar shumë vende të botës, Bajrami thekson se kjo përvojë ishte ndryshe nga të gjitha të tjerat, shkruan Projekti.

Në reagimin e saj publik, ajo e përshkruan Namibinë si një vend me dy realitete të forta kontrastuese: bukurinë mahnitëse të natyrës me lumenj, male dhe vijë bregdetare, por edhe varfërinë, pabarazinë dhe kushtet e vështira të jetesës në zonat e margjinalizuara.

Qëllimi kryesor i udhëtimit ishte të shihte nga afër ndikimin e fondeve të mbledhura përmes angazhimit të saj humanitar. Gjatë qëndrimit, ajo vizitoi disa projekte sociale, të cilat lanë gjurmë të thella emocionale dhe e bënë edhe më të vështirë vendimmarrjen se ku ishte më e domosdoshme ndihma.

Në fund, Blerta Bajrami vendosi që fondet t’i dhurojë organizatës Life for the Children, e cila falë këtij kontributi ka arritur të blejë tokë për ndërtimin e një qendre për fëmijët me aftësi të kufizuara. Qendra synon t’u ofrojë këtyre fëmijëve trajtime dhe përkujdesje profesionale, me mbështetje dhe ekspertizë edhe nga Holanda dhe vende të tjera.
“Ka ende shumë punë përpara, por hapi i parë tashmë është bërë”, shprehet Bajrami, duke theksuar fuqinë që mund të ketë edhe një kontribut i vogël në ndryshimin e jetëve të njerëzve në nevojë.
Ajo falënderon të gjithë donatorët që e mbështetën këtë nismë, duke veçuar Albert Scheffer për përkushtimin, guidën dhe mundësinë që i dha për t’i parë projektet nga afër.

Në përfundim, Blerta Bajrami e cilëson këtë përvojë si një udhëtim të mbushur me emocione të forta, që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Sipas saj, Namibia është një dëshmi se bukuria dhe vështirësitë ecin paralelisht, dhe se një akt i vogël mirësie mund të ketë ndikim të jashtëzakonshëm duke ndryshuar botën, një jetë në një kohë.




