“Bllokada, demagogji dhe gënjeshtra”, reagime të ashpra nga PDK-ja e LDK-ja ndaj Kurtit

27 tetor 2025 | 08:37

Pas dështimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti për të siguruar mbështetjen e Kuvendit për formimin e kabinetit të tij të tretë qeverisës, reagimet e opozitës kanë qenë të menjëhershme dhe të ashpra.

Figura të larta të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë akuzuar Kurtin për arrogancë politike, dështim në qeverisje dhe përpjekje për ta sunduar vendin përmes përçarjes.

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku në një reagim publik ka thënë se Albin Kurti e ka ndërtuar tërë karrierën e tij mbi polarizim dhe manipulim, duke theksuar se fundi politik i tij është i pashmangshëm.

“Tërë profilin politik e ka ndërtuar mbi polarizim, fyerje dhe manipulim. Ka tentuar të sundojë, sepse nuk ka ditur të qeverisë. Për pesë vite me radhë, ka sulmuar gjykatat, prokurorinë, mediat, bizneset dhe sindikatat. Ka goditur këdo që nuk i është nënshtruar. Edhe sot, i njëjti diskurs: ‘Ejani e më votoni, sepse ashtu po them unë”, ka shkruar Çitaku.

Ajo ka shtuar se koha e arrogancës po mbaron.

“Demistifikimi i figurës së tij filloi ditën e parë që mori pushtetin. Tendencat totalitare u panë menjëherë. Sot, të zgjedhurit e popullit i treguan qartë se kjo mendësi nuk kalon”, u shpreh deputetja e PDK-së.

“Veni, vidi, mentitus sum! ~ realiteti politik i Kurtit. Bllokada, vonesa, demagogji, vendime të paligjshme, shkelje kushtetuese, propagandë, e në fund seancë ku dëshmoi që ai është saktë ajo që ai nuk e thotë. Ajo gjuhë nuk ka mbështetje. Ajo demagogji nuk gjen numra. Ajo mendësi nuk ka të ardhme”, ka shkruar Kica-Xhelili.

Deputetja tutje ka shtuar se në krejt këtë rrëmujë, mandatari Kurti kishte shkuar aq larg sa t’a kopjonte planin e LDK-së që përfshinte Ministri të familjes; të Digjitalizimit; ndarje të Infrastrukturës nga Planifikimi etj.

“T’a kopjojnë edhe munden, por për t’a zbatuar i duhen njerëzit profesional, racional, me mendësi progresi e jo përçarëse – që këta NUK i kanë. In proximo nostro proelio!”, ka shkruar ajo.

Seanca e 26 tetorit përfundoi pa zgjedhjen e ekzekutivit të ri, pasi mandatari Albin Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, nuk i siguroi 61 votat e nevojshme.

Përgjatë prezantimit të programit dhe kabinetit të ri qeveritar, Kurti e prezantoi një ekip prej 20 ministrash, për dallim prej 15 ministrive sa i ka vendi tani.

Për hapat e mëtejmë duhet të ndërhyjë presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Kushtetutës, ajo tani duhet të propozojë mandatarin e dytë, por marrë parasysh se Memli Krasniqi nga Partia Demokratike e Kosovës deklaroi se nuk e ka shumicën, duket se zgjedhjet e parakohshme janë të pashmangshme. Ato duhet të mbahen 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Argjentinës, Javier Milei, e ka udhëhequr partinë e…