‘Bllokada politike i kushtoi Kosovës miliarda euro, mosmiratimi i buxhetit mund ta çojë vendin drejt falimentimit’
Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, thotë se që nga dita e parë ka qenë e ditur se qeveria nuk i ka votat e mjaftueshme.
Shahini në një intervistë për GazetaBlic, thotë se për këtë bllokadë politike fajtor është qeveria e vendit, të cilët interesin personal dhe politik e kanë vendosur para interesit të Kosovës.
“Se qeveria nuk i ka votat është ditur nga dita e parë, se pse është bllokada, fajtore është qeveria, por se do të vjen bllokada tjetër prapë janë fajtorë udhëheqësit e Qeverisë së Kosovës, të cilët interesin personal dhe politik e kanë vënë para interesit të Kosovës”, tha ai.
Ndër të tjera, ai thotë se mosformimi i qeverisë do të ndikojë në ekonominë e vendit në aspektin financiar.
Shahini tregon se humbjet të cilat i kanosen Kosovës, janë shumëdimensionale si në aspektin ekonomik ashtu edhe atë diplomatik.
Ai thekson se këto humbje të mëdha janë dëmtim i imazhit të shtetit dhe të ardhmërisë sonë. “Ndikimi në ekonominë e vendit në aspektin financiar, dy vite nën sanksione dhe një vit pa investime, qofshin ato publike apo të huaja, dhe mundësinë për të thithur kapital nga bankat e ndryshme botërore. Pra, ne kemi humbur dhe humbjet janë rreth 2 miliardë euro. Humbje faturohen po ashtu sanksionet ekonomike, mosgatishmëria e investitorëve dhe bankave të ndryshme për t’i mbështetur iniciativat e bizneseve në Kosovë dhe institucioneve shtetërore, mosratifikimi i marrëveshjeve të ndryshme ndërkombëtare që kanë ndikim financiar. Prandaj e gjithë kjo ka bërë që Kosova më në fund të jetë edhe e përjashtuar nga dialogu strategjik me ShBA-të dhe kemi hyrë në një bllok me shtetet e lindjes”, ka thënë ai.
Shahini thotë se të gjitha këto bllokada të njëpasnjëshme e dërgojnë Kosovën drejt falimentimit, ku shton se vendi tani po hynë në një fazë të re bllokuese.
“Të gjitha këto bllokada të njëpasnjëshme çojnë drejt falimentimit të shtetit, sepse nëse nuk e kemi buxhetin e miratuar për vitin e ardhshëm, ne kemi të drejtën që deri në muajin shkurt në mënyrë të limituar të shpenzojmë shpenzime”, ka thënë ai, duke shtuar se po të ishte Kuvendi i konstituuar përmes një vendimi shpenzimet ishin vazhduar edhe për një muaj tjetër. “Por sipas kësaj që po shohim duket se nuk do të kemi zhbllokim por vetëm po hyjmë në fazë të re bllokuese. Faza e re bllokuese po sjell vit të rëndë tjetër ekonomik 2026, që do të ballafaqohemi edhe me tkurrje ekonomike, me ikje të rinjve dhe rritje të varfërisë në Kosovë”, ka theksuar ai.
Shahini ka thënë se në këtë situatë të cilën ndodhemi ka rrezik për falimentim të bizneseve por edhe falimentim të vet shtetit pa buxhet.



