Bllokadë totale në veri, serbët nuk guxojnë të blejnë mallra të Kosovës

02 korrik 2019 | 17:39

Të dalësh në veri të Mitrovicës sot të lë përshtypjen se është ditë e diel. Rrugët janë të qeta më pak njerëz që lëvizin.

Edhe sot, atje ka vazhduar bojkoti, duke mos hapur asnjë lokal, as ata elementarë, në shenjë proteste për taksën 100 për qind që Qeveria e Kosovës i ka vënë mallrave nga Serbia.

Ata pak qytetarë që lëviznin, prapa kamerave i kanë thënë “Kosovapress”-it se krejt kjo gjendje është politike, për të cilën më as nuk duan të flasin.

Ata kanë thënë se nuk blejnë produkte të shqiptarëve dhe se janë furnizuar me gjëra elementare kur kanë marrë vesh se do të mbyllen të gjitha dyqanet.

Në veri është duke u synuar të paraqitet një gjendje jo e mirë për qytetarët, përmes asaj që po e quajnë “krizë humanitare”, duke provuar të thuhet që nuk kanë më me çka të furnizohen, pas ndalesës që është duke iu bërë mallrave nga Serbia.

Dje, Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me bizneset vendore ka dërguar kamionë me gjësende në veri.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) ka deklaruar se do të ketë pika shitëse në veri, ku qytetarët serb do të mund të furnizohen me gjërat elementare.

Por, pikat shitëse kanë qëndruar të hapura në veri sot vetëm tri orë.

Nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë kanë deklaruar se edhe sot në tri komunat e veriut kanë dërguar tri pika shitëse mobile me mallra ushqimore.

Zyrtari për medie në këtë ministri, Elhami Ismajli, ka thënë se qytetarët e kësaj ane janë furnizuar me ushqime nga këto pika shitëse.

“Edhe sot Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, në bashkëpunim me bizneset vendore, kanë dërguar tri pika shitëse mobile, me mallra ushqimore në veri të vendit, për të iu ofruar qytetarëve të Republikës së Kosovës, mundësi t’i blejnë produktet esenciale. Pikat shitëse mobile, kanë qëndruar në tri komunat veriore, Zubin Potok, Leposaviq dhe në Mitrovicën e Veriut, ku qytetarët e asaj ane, janë furnizuar me artikuj ushqimor. Aksioni do të vazhdojë derisa të jetë e nevojshme, në zbatim të obligimeve tona shtetërore për ofrimin e kushteve për blerje të produkteve të ndryshme edhe në veri si në të gjithë tregun e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ismajli.

Ndërsa, politologu Musa Preteni, ka konsideruar që vendimi i Qeverisë se Kosovës për të sjellë produkte ushqimore, dhe të gjera tjera të nevojshme për qytetarët serb në veri të vendit është përgjigja më e mirë.

Sipas tij, pas këtij vendimi, Beogradi do të shtojë presionin ndaj serbëve në veri, që mos të blejnë mallrat që i ka vendosur në dispozicion Qeveria e Kosovës.

Në anën tjetër, kryeministri Ramush Haradinaj, ka akuzuar presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq për të ashtuquajturën krizë humanitare në veri të Kosovës. Ai në një konferencë për medie ka thënë se presidenti serb është ideator i këtij skenari.

“Presidenti Aleksandër Vuçiq është ideator dhe zbatues i këtij skenari. Ai, atë që sipas tyre, nuk e kanë arritur presidenti amerikan, Donald Trump, kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron që është suspendimi i taksës dëshiron ta realizojë me një destabilizim të veriut”, ka thënë Haradinaj, duke kërkuar nga Vuçiqi që të heq dorë nga një ide e tillë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka…