Bllokime rrugësh për Maratonën Ndërkombëtare të dielën

26 shtator 2025 | 12:00

Drejtoria Rajonale e Policisë në Prishtinë ka bërë me dije se të dielën, më 28 shtator 2025 do të ketë bllokime dhe devijime të qarkullimit rrugor për shkak të mbajtjes së Maratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2025”.

Sipas njoftimit të policisë, plani policor do të nisë nga ora 09:00 dhe do të vazhdojë deri në përfundim të garës, me qëllim të ofrimit të sigurisë për pjesëmarrësit dhe menaxhimit të trafikut.

Policia ka paralajmëruar ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në rrugën Prishtinë-Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës dhe anasjelltas, deri te nyja e kyçjes në autostradën “Ibrahim Rugova”.

Për të lehtësuar lëvizjen e qytetarëve, janë parashikuar këto rrugë alternative:

-Nga Peja në Prishtinë – përmes Sllatinës, fshatit Magurë dhe Lipjanit, duke u lidhur me rrugën nacionale Ferizaj-Prishtinë.

-Nga Peja në Fushë Kosovë – përmes Sllatinës, Bardhit të Vogël dhe fshatit Kuzmin.

-Nga Prishtina/Veterniku drejt Pejës/Aeroportit – përmes rrugës Prishtinë-Lipjan-Rufc i Ri-Poturoc-Magurë-Aeroport.

-Nga Mitrovica drejt Pejës ose Aeroportit – përmes autostradës nga Mazgiti drejt Shkupit, me dalje në Lipjan, pastaj Rufc i Ri-Poturoc-Magurë-Aeroport.

-Nga Mitrovica drejt Ferizajt – lëvizja do të jetë e lirë në rrugën nacionale, pa ndalesa.

Transporti publik, përfshirë autobusët në relacione Prishtinë-Fushë Kosovë-Aeroport dhe drejt Pejës, nuk do të qarkullojë në rrugët kryesore gjatë kohës së garës dhe duhet të përdorë rrugët alternative.

Me këtë rast, policia ka ftuar qytetarët që t’i respektojnë udhëzimet e mësipërme.

“Ju lutemi të respektoni udhëzimet policore dhe të tregoni mirëkuptim, në mënyrë që gara të zhvillohet pa pengesa dhe qarkullimi i automjeteve të menaxhohet sa më lehtë”, ka njoftuar policia.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidatja e PDK-së për asambliste në Mitrovicë, Armenda Berani-Shala, e…