Bllokimi i eksporteve, Zelensky: Bota rrezikohet nga kriza ushqimore

10 maj 2022 | 16:53

Masa urgjente për zhbllokimin e porteve, në mënyrë që t’i jepet fund bllokadës ruse ndaj eksporteve të grurit ukrainas. Kjo ishte thirrja e presidentit ukrainas, Volodimir Zelenensky, pas takimi me kreun e Këshillit Evropian, Charles Mishel, i cili ka vizituar Odesën, një port i madh në Detin e Zi për eksportin e prodhimeve bujqësore.

Zelensky ka thënë se kishin diskutuar për ndërmarrjen e hapave urgjent për të parandaluar një krizë globale ushqimore, të shkaktuar nga veprimet agresive të Rusisë.

“Për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore, në Odesa nuk ka lëvizje të zakonshme të mallrave, apo punës në port. Pa eksportet tona bujqësore, dhjetëra vende në pjesë të ndryshme të botës po vuajnë mungesa ushqimore. Me kalimin e kohës situata mund të bëhet e tmerrshme. Është pasojë direkte e agresionit rus që mund të tejkalohet vetëm duke vepruar së bashku…duke shtuar presionin ndaj Rusisë dhe duke e detyruar të ndalë këtë luftë të turpshme”, është shprehur Zelensky.

Para luftës, Ukraina eksportonte 4.5 milionë tonë prodhime bujqësore në muaj përmes porteve të saj, ndër të cilat 12 për qind të grurit botërore, 15 për qind të misrit dhe 50 për qind të vajit të lulediellit.

Por, lufta ruse e ka reduktuar drastikisht kapacitetin eksportues; infrastruktura ukrainase është shkatërruar dhe porti kryesor i Odesës mbetet i bllokuar.

Ekonomia ukrainase pritet të tkurret me gati 1/3 gjatë këtij viti, sipas vlerësimeve të Bankës Evropiane të Zhvillimit. Parashikimi është më i zymtë se ai që banka bëri në mars, kur vlerësoi një rënie prej 20 për qind.

Megjithatë ekspertët presin një hov prej 25 për qind në 2023-shin, ndërsa për Rusinë parashikojnë tkurrje me 10 për qind. Në mesazhin e tij të fundit Zelensky, ka falënderuar Shtetet e Bashkuara, pasi presidenti Joe Biden, ka riaktivizuar një ligj të epokës së luftës, që do të lehtësojë dërgimin e armëve në Ukrainë, nga ShBA-ja dhe aleatët evropianë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Policia Rajonale e Ferizajt ka dal me komunikatë për media…