Bojaxhi: Kemi zbuluar linjën e Gjergj Kastriotit, në këtë qytet shqiptar gjetëm fise që i përkasin atij trungu
Gjergj Bojaxhi, bashkëdrejtues i projektit “Rrënjet” që studion strukturën gjenetike të popullsisë shqiptare, thotë se në një studim të fundit kanë zbuluar pasardhësit e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut
Ai ka thënë mbrëmë në një intervistë në emisionin “Dekalog” në “Dritare TV” se studimi ka zbuluar fise në zonën e Dibrës në Shqipëri, që, sipas tij, i përkasin trungut të Kastriotëve.
“Ne kemi gjetur linjën e Kastriotëve. Është linjë shqiptare. Vetëm kaq mund t’ua them”, ka thënë ai fillimisht.
Sipas Bojaxhiut, rezultatet tregojnë se bëhet fjalë për një “linjë me origjinë ilire”, të cilën ai e cilësoi si “nga linjat më tipike ilire”.
“Kemi gjetur në Dibër fise që janë të atij trungu. Është linjë shqiptare, linjë me origjinë ilire dhe të gjithë ata që kanë hedhur teza… Fatmirësisht është linjë ilire, sepse po të kishte dalë linjë sllave, ne prapë sllave do e kishim nxjerrë rezultatin, por fatmirësisht ka dalë linjë ilire 100 për qind. Është nga linjat më tipike ilire dhe e dimë edhe nga e ka bërthamën ky grupim ilir, në kuptimin si është formuar. Kemi gjetur fise të tjera në zonën e Dibrës që janë të atij trungu. Kemi gjetur njerëz që mund të jenë… po të shkojnë ata mbrapshtë dhe të ishte gjallë Gjergj Kastrioti si të thuash në kohën e tyre, ata mund të kenë qenë për shembull kushërinj të tretë për shembull të Gjorgjit, të Gjergjit ose Gjonit”, ka thënë ai.



