Bolton: Putini mund të përdorë “marifetet’’ e KGB në Alaskë

13 gusht 2025 | 18:02

Presidenti amerikan Donald Trump do të shkojë në takimin e së premtes me Vladimir Putin, i shtyrë jo nga një vizion strategjik koherent, por nga dëshira e tij për të siguruar një ujdi, e për të marrë çmimin Nobel për Paqen. Kështu mendon ish-këshilltari i tij për sigurinë kombëtare John Bolton.

Në një intervistë për Reuters, Bolton thase ishte e paqartë nëse Trump po fliste për shkëmbim territoresh për të siguruar një armëpushim, apo si pjesë e një marrëveshje finale paqeje me Ukrainën.

“Mendoj se ka konfuzion. Ndoshta kjo ide është në kokën e Trumpit, ose ndoshta edhe tek të tjerët. A po flasim këtu për kushtet e një armëpushimi? Apo për kushtet e një marrëveshje përfundimtare paqeje. Mendoj se një armëpushim është shumë i rrezikshëm për Ukrainën në këtë moment, dhe në këtë rast nuk mund të flitet për shkëmbime territoresh. Një ide e tillë nënkupton një angazhim për marrëveshje finale, diçka për të cilën askush nuk duket i përgatitur të diskutojë. Por këto janë vetëm detaje për Trumpin. Ai do vetëm të jetë në gjendje të thotë: Unë arrita një ujdi”, tha Bolton.

Bolton shtoi më tej se beson që Putini ishte shumë më informuar mbi çështjet në diskutim se sa Trump dhe se do të përdorte marifetet e tij të KGB-së për të bindur presidentin amerikan të pranojë pjesë të pozicionit rus në negociatat me Ukrainën.

“Ne kemi parë në të kaluarën që Putini është ai që flet më shumë, dhe mendoj se ai ka barrën, në një farë mënyre, për ta orientuar Trumpin në drejtimin e tij. Ai do të përpiqet të kuptojë se çfarë do ta bindë Trumpin, pavarësisht nëse është e vërtetë apo jo, por do ta bindë atë se Putini dëshiron seriozisht paqen. Mendoj se Putini do të jetë shumë i gatshëm të pranojë disa ndryshime në propozimin e tij. Ndoshta ato do të jenë vetëm sipërfaqësore, por do të mjaftojnë që Trumpi të mund të pretendojë pronësinë mbi idenë. Ai mund ta bëjë atë propozimin e vet, jo propozimin e Putinit. Putini do të ishte plotësisht dakord me këtë. Personi që po testohet këtu është Putini. A do të jetë ai sërish në gjendje t’i vërë përsëri në punë marifetet e KGB-në për të marrë atë që dëshiron”, tha Bolton.

Bolton, një skifter i politikës së jashtme, i cili ka qenë një prej mbështetësve kyç të pushtimit të Irakut në vitin 2003, kishte rol thelbësor në vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin në 2018.

Pas shkarkimit nga Trump në 2019 për mospajtime në politikat e sigurisë, Bolton u kthye në një kritik të zëshëm të ish shefit të tij duke e cilësuar atë si të pa kualifikuar për rolin e presidentit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Situata e zjarreve në vend është kritike. Brenda orëve të…