Bomba e Luftës së Dytë Botërore detyron evakuim masiv në Dresden

11 mars 2026 | 23:43

Rreth 18 mijë banorë u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre në qendër të Dresdenit pas gjetjes së një bombe britanike 250 kilogramëshe nga Lufta e Dytë Botërore, gjatë punimeve në një urë pranë bregut të lumit Elbe. Operacioni u konsiderua si evakuimi më i madh që është kryer ndonjëherë në këtë qytet të Gjermanisë Lindore.

Siç raportojnë mediat, operacioni filloi rreth orës 09:00 dhe morën pjesë mbi 400 policë, si dhe u përdorën helikopterë dhe dronë për të siguruar largimin e banorëve dhe mbylljen e zonës. Qëllimi ishte që shtëpitë, dyqanet, shkollat, shtëpitë e pleqve dhe zyrat në një rreze prej një kilometri të ishin larg nga rreziku.

Mes ndërtesave të prekura janë edhe monumente historike të qytetit, përfshirë pallatin Zwinger dhe Kishën e Shën Mërisë (Frauenkirche). Policia njoftoi se bomba e neutralizuar do të transportohet në një qendër të specializuar për t’u shkatërruar në mënyrë të sigurt.

Kjo nuk është hera e parë që Dresdeni përballet me bomba të Luftës së Dytë Botërore: në janar dhe gusht të vitit 2025 u gjetën dhe u neutralizuan edhe disa bomba të tjera. Qyteti u bombardua rëndë nga forcat Aleate më 13-14 shkurt 1945, duke shkaktuar shkatërrime të mëdha.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputeti i AAK-së , Besnik Tahiri në ‘Click” ka bërë…