
Boniface thyen heshtjen dhe zbulon të vërtetën pse dështoi transferimi te Milani
Victor Boniface ka zgjedhur, disa ditë më vonë, të flasë hapur mbi transferimin e dështuar të tij te Milani.
Sulmuesi i Bayer Leverkusen u rrëfye në një transmetim “live” në “Twitch”, ku iu përgjigj shumë pyetjeve të tifozëve mbi kalimin e tij të munguar te kuqezinjtë.
Klubi nga “Via Aldo Rossi”, pasi e ndoqi gjatë dhe lojtari kreu vizitat mjekësore, vendosi të ndryshonte drejtim, duke u fokusuar te Conrad Harder, i cili pritet të mbërrijë orët e ardhshme në Milano për të konkurruar me Santiago Gimenez për rolin e qendërsulmuesit.
Këto ishin fjalët e Boniface: “Në një moment u dorëzova. Kur të tjerët luanin futboll, unë thjesht po punoja për t’u rikthyer. Pas dëmtimit tim të dytë të ligamentit të kryqëzuar të përparmë, nuk doja më as të luaja për shkak të dhimbjes së parë dhe asaj që përjetova gjatë të dytit. Në atë periudhë humba edhe nënën time. Milani? Transferimi nuk u realizua për shkak të dëmtimeve të mia të kaluara. Kam pasur dy herë dëmtim në gjurin e djathtë, kjo është diçka që më shoqëron prej shumë kohësh”.