Bordi i Telekomit të Kosovës kërkon mbështetje nga ministri Kuçi për të shpëtuar këtë ndërmarrje

16 korrik 15:34

Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës Sh.a, lidhur me bllokimin e llogarive bankare të TK-së, sot, me datën 16.07.2020, ka mbajtur takim me Ministrin e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambientit Kuçi, ku është diskutuar për mundësitë e tejkalimit të situatës së rendë në të cilën ndodhet TK, si pasojë e këtij bllokimi nga përmbaruesi privat.

“Ky bllokim i llogarive bankare ka ndodhur si rrjedhojë e arbitrazhit të humbur në vitin 2016 ndaj “Dardafon.net” L.L.C. e njohur për opinionin publik edhe si Z-Mobile. Në takim, ne e shprehëm shqetësimin tonë lidhur me këtë emergjencë në të cilën ndodhet Telekomi dhe kërkuam mbështetjen e Ministrisë për daljen nga kjo situatë, me të vetmin qëllim për të evituar bllokimin e Telekomit me pasoja të pa riparueshme si për ekonominë e Republikës së Kosovës ashtu edhe interesat kombëtare”, thuhet në komunikatën e Bordit të Telekomit.

“Ne si Bordi i Përkohshëm, që nga emërimi në këtë detyrë kemi ndërmarrë hapa dhe vendime konkrete të cilat kanë ndikuar sadopak në përmirësimin e gjendjes së rendë të përgjithshme në të cilën ndodhet Telekomi.

Sa i përket procesit në lidhje me bllokimin e llogarive bankare, ju sigurojmë se nga ana e Telekomit është ndërmarrë çdo hap i mundshëm, megjithatë bllokimi i llogarive është rrjedhoje e problemit të krijuar para shumë viteve dhe i pa evituar”, është thënë tutje në komunikatë, duke u shtuar se “Ne anëtarët e Bordit i kemi shteruar të gjitha veprimet konkrete në këtë drejtim në baza të përgjegjësive dhe detyrave fiduciare që na janë ngarkuar. Për këtë arsye, si të vetmen mundësi për të dalë nga kjo situatë e shohim përfshirjen e Aksionarit. Në takimin e sotëm ne hasëm në përkrahjen e Ministrit Kuçi dhe u siguruam që Ministria e Kuçi do të ndërmerr të gjitha hapat dhe veprimet konkrete për të dalë nga kjo situatë e cila është alarmante, duke kontribuar që të shpëtohet Telekomi i Kosovës Sh.a. I sigurojmë qytetarët e Republikës së Kosovës se Bordi është duke punuar ngushtë me menaxhmentin e Telekomit të Kosovës, Aksionarin dhe çdo organ tjetër kompetent në mënyrë që ta tejkalojmë sa më shpejt këtë situatë”, përfundoi komunikata e Bordit të Telekomit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica ka zhvillova…