Borrelli thotë se nuk punon me ‘non-papers’, Kurtit i duken si skeçe të filmave ‘fiction’

29 prill 2021 | 15:01

“Unë nuk punoj me ‘non-papers’”, ka thënë përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, në konferencën e përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, kur është pyetur  për publikimin e një dokumenti të tillë së fundmi, i cili përmban disa përkufizime se di do të dukej marrëveshja finale Kosovë-Serbi.

Borrelli ka thënë se këto dokumente nuk janë të rëndësishme, ndërsa ka shprehur shqetësimin për efektin që mund ta kenë ato në çështje si dialogu Kosovë-Serbi.

“Duket sikur janë në modë. Nëse nuk ke ‘non-paper’ nuk je askushi. Nuk kam marrë asnjë nga këto dokumente. Shpresoj që nesër nuk do të dalë edhe ndonjë tjetër. Unë nuk punoj me ‘non-papers’. Për këtë të fundit do ta them atë që e kam thënë edhe për atë më përpara. Për mua këto fantom-dokumente nuk janë të rëndësishme dhe mund ta shpreh shqetësimin tim se këto dokumente dhe lajme të rreme janë duke qarkulluar dhe ne nuk kemi të bëjmë asgjë me to”, ka thënë Borrelli.

Ndërsa kryeministri Albin Kurti e ka bërë një krahasim të “non-papers” me fotografi të falsifikuara dhe skeçe të filmave “fiction”.

“Unë nuk besoj në zgjidhje ku rajoni shikohet vetëm si gjeografi dhe demografi, pa siguri, pa ekonomi, pa qytetarë të republikave. Për mua këto harta duken si fotografi të falsifikuara nga sateliti apo si skeçe të filmave të ndryshëm fiction ku alienët duan ta pushtojnë tokën. Nuk u kam dhënë asnjë rëndësi. Ndoshta këto janë kërcënime; nuk e di se nga kush dhe për çfarë, por sa më pak që merremi me to, mendoj se i ndihmojmë vetes”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur të…