BOSHËSI PANDEMIE

26 mars 10:43

Lulëzim ETEMAJ

Bosh ka mbetur zyra
Nga tetë veta sa ishim në të
Kam mbetur i vetmi
Bashkë me dy vazo lulesh
Pikturën me katër vazo të vjetra dheu
Varur në muri pas shpinde
E shishen me lëng dezinfektues duarësh
Dokumente të mbetura shpërndarë nëpër tavolina
Ekrane kompjuterësh të rëna në gjumë
E shurdhëmemecërinë e telefonit Alcatel

Një radio e vogël e bardhë
E markës DAB+
Çdo orë përsërit kërkesën e Këshillit të Ministrave:
Qëndroni në shtëpi, mos dilni përjashta!

Askush s’e ka idenë sa do të zgjasi kjo gjëmë
Është vetëm prognoza zyrtare, që qarkullon pa zë:
Së shpejti mund të ndalohet edhe qarkullimi i njerëzve!

Nesër, prapë do të mbushet zyra
Sikur kur kthehen dallëndyshet në fole
Dhe së bashku do ta ngrisim nga një gotë
për shpirtërat e atyre që nuk janë më
E do të vazhdojmë me planet e mbetur shkruar nëpër letra.

25 mars 2020

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bashkimi Evropian vendosi për t’i ndaluar eksportet e pajisjeve shëndetësore…