Boshllëqet juridike dhe mungesa e vullnetit politik po e mbajnë Kosovën në krizë të jashtëzakonshme

29 korrik 2025 | 16:27

Shkruan: Dr. Driton Lajçi

Po bëhet gjithnjë e më e dukshme se Kushtetuta e Republikës së Kosovës ka boshllëqe të mëdha. Ajo nuk parasheh mekanizma të qartë për veprim në rastet kur bllokohet formimi i institucioneve, nuk përshkruan hapa të qartë për “veprimin e parë, të dytë, të tretë” etj., dhe nuk ofron rrugëdalje të strukturuar për ngërçe të tilla. Gjykata Kushtetuese nuk mund të shpikë zgjidhje aty ku Kushtetuta hesht.

Ndërkohë, ndryshimi i Kushtetutës është pothuajse i pamundur në rrethanat aktuale. Si një kushtetutë e ngurtë, për ndryshimin e saj, përveç pëlqimit të shumicës shqiptare, kërkohet edhe pëlqimi i përfaqësuesve të komuniteteve jo-shumicë – të cilët, për çështje të tilla, do të konsultoheshin me qeveritë e Serbisë, Turqisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kjo e bën reformën kushtetuese një proces gati të paarritshëm dhe lë hapësirë për shfaqjen e krizave.

Në situatën aktuale, burimi i ngërçit është njëkohësisht juridik dhe politik. Edhe heshtja dhe zhagitja janë veprime politike, të llogaritura për të fituar kohë, për të pritur kalkulime të reja apo për të ndërlidhur krizën me agjenda të tjera.

Kushtetuta është mjeti – por vullneti politik është çelësi. E në rastin tonë, pjesë e problemit nuk është vetëm mungesa e vullnetit politik, por edhe boshllëqet e vetë Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Do të ishte ideale që Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj meritor të jap përgjigje juridike një situate me krizë të thellë politike dhe mirëbesimi. Shpresoj!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kandidati për kryetar të komunës së Lipjanit nga radhët e…