Bota e dënon sulmin vdekjeprurës në plazhin australian

14 dhjetor 2025 | 20:14

Të paktën 11 njerëz janë vrarë dhe gati 30 të tjerë janë plagosur kur persona të armatosur hapën zjarr gjatë një feste hebraike në plazhin Bondi të Sidnejt të dielën, njoftuan autoritetet australiane.

Sulmi, i cilësuar si terrorist nga Australia, është dënuar nga e gjithë bota.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio: “Antisemitizmi nuk ka vend në këtë botë. Lutemi për viktimat e këtij sulmi të tmerrshëm, komunitetin hebre dhe popullin e Australisë”.

Keir Starmer, kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar

“Lajme thellësisht shqetësuese nga Australia. Ngushëllime për të gjithë ata që janë prekur nga sulmi i tmerrshëm në plazhin Bondi”.

Benjamin Netanyahu, kryeministër i Izraelit

“Disa muaj më parë i shkrova letër kryeministrit të Australisë. I thashë se politikat e tyre po hedhin benzinë mbi zjarrin antisemitik. Kjo nxit urrejtjen ndaj hebrenjve që tani po përhapet në rrugët tuaja. Antisemitizmi është kancer. Ai përhapet kur udhëheqësit heshtin, prandaj dobësia duhet të zëvendësohet me veprime”.

“Kjo nuk kishte ndodhur në Australi, dhe sot ndodhi diçka e tmerrshme atje: vrasje me gjakftohtësi. Numri i të vrarëve, për fat të keq, rritet në çdo çast”.

Christopher Luxon, kryeministër i Zelandës së Re

“Australia dhe Zelanda e Re janë më shumë se miq, ne jemi familje. Jam i tronditur nga skenat shqetësuese në Bondi, një vend që qytetarët e Zelandës së Re e vizitojnë çdo ditë”.

Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Evropian

“E tronditur nga sulmi tragjik në plazhin Bondi. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet dhe të dashurit e viktimave”. “Evropa qëndron përkrah Australisë dhe komuniteteve hebreje kudo. Ne jemi të bashkuar kundër dhunës, antisemitizmit dhe urrejtjes”.

Donald Tusk, kryeministër i Polonisë

“Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjet e viktimave të sulmit të tmerrshëm terrorist në plazhin Bondi, Sidnej. Antisemitizmi, kudo që shfaqet, çon në akte kriminale. Sot, Polonia qëndron përkrah Australisë në këtë kohë zie”.

Ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares

“I tmerruar nga sulmi terrorist në Australi kundër komunitetit hebre. Shpreh solidaritetin tim me viktimat dhe të dashurit e tyre, me popullin dhe Qeverinë e Australisë”. “Urrejtja, antisemitizmi dhe dhuna nuk kanë vend në shoqëritë tona”.

Jonas Gahr Stoere, kryeministër i Norvegjisë

“Jam i tronditur nga sulmi i tmerrshëm në plazhin Bondi Beach, Australi, gjatë një aktiviteti hebre për Hanukën”. “E dënoj këtë akt të neveritshëm terrori në termat më të fortë të mundshëm. Ngushëllimet e mia më të sinqerta për të gjithë ata që janë prekur nga sulmi i sotëm tragjik”.

Ulf Kristersson, kryeministër i Suedisë

“Jam i indinjuar nga sulmi në Sidnej kundër komunitetit hebre”. “Së bashku, duhet ta luftojmë përhapjen e antisemitizmit”. /REL

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Veprimtari Sali Bislimi, i cili jeton në Zvicër, ka bërë…