Bota e korporatave në shekullin XXI

09 janar 2022 | 21:13

Ndryshimet në mënyrën si bizneset krijojnë vlerë dhe si ajo përcillet te familjet, nxjerrin në pah rolin në ndryshim e sipër të korporatave.

Çfarë përgjegjësish ka biznesi ndaj shoqërisë dhe çfarë përfitimesh ofrojnë kompanitë për palët e interesuara dhe shoqërinë në përgjithësi?

Këto pyetje janë disa nga çështjet e trajtuara në një raport kërkimor të Institutit Global McKinsey (MGI), me autorë Michael Birshan dhe Clarisse Magnin-Mallez. Në vijim, këta autorë diskutojnë me San Brown, mbi mënyrën se si vlera që kompanitë u sjellin ekonomive, shoqërive dhe familjeve, ka ndryshuar gjatë çerekshekullit të fundit.

ÇFARË E NXITI EKIPIN E MGI PËR TË NDËRMARRË KËTË HULUMTIM MBI ROLIN E KORPORATAVE NË SHOQËRI?

Clarisse Magnin-Mallez: Ka prova të shumta që tregojnë se pritshmëritë shoqërore për biznesin po ndryshojnë. M’u duk e habitshme që 87% e njerëzve të cilët u pyetën mbi rolin e kompanive, deklaruan se ato duhet të krijojnë vlerë për interesa të shumëfishta, jo vetëm të nxjerrin fitime.

Kuptimi i këtyre ndryshimeve është veçanërisht i rëndësishëm për brezin e ri, të ashtuquajtur Gjenerata Z (personat deri në 25 vjeç), të cilët janë të ndarë në lidhje me këto pyetje, qoftë si konsumatorë, ashtu edhe si punonjës. Ne e nisëm këtë kërkim për të zbuluar se çfarë vlere krijojnë korporatat e mëdha për ekonominë dhe për familjet. U përpoqëm të masim këtë ndikim, si ka evoluar ai me kalimin e kohës dhe nëse po ndryshon sipas arketipit të kompanive.

Ne morëm në shqyrtim 5000 kompani me të ardhura mbi 1 miliard dollarë gjatë një periudhe 25-vjeçare. Analizuam 30 tregues, duke filluar nga taksat, deri te kompensimet dhe krijuam dy modele. Njëri fokusohet në atë që ne e quajmë “rrugë”, që do të thotë se kur një korporatë krijon 1 $ në vlerë, ku shkon ajo? Si reflektohet ajo te familjet dhe cilat janë implikimet për vendimmarrësit? Modeli i dytë i grupon kompanitë sipas arketipit, bazuar në natyrën e vlerës që ato krijojnë dhe rrugët përmes të cilave vlera e tyre arrin te familjet.

SA MIRË PO E PËRCJELLIN KORPORATAT KËTË VLERË TE QYTETARËT DHE FAMILJET?

Michael Birshan: Së pari, hulumtimi vërteton rolin e qëndrueshëm të biznesit në shoqëri. Në shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), çdo vit shtohet 61 trilionë dollarë në vlerë bruto; nga kjo shumë, 44 trilionë dollarë, ose 72%, gjenerohen nga sektori i biznesit. Kjo vlerë përfaqëson të ardhurat minus kostot e ndërmjetme për prodhimin e produkteve dhe shërbimeve. Ndërsa pjesa e vlerës totale që shtojnë bizneset, varion midis 70% dhe 75% në vende të ndryshme, vlera mesatare ka qenë jashtëzakonisht e qëndrueshme me kalimin e kohës.

Përqindjet janë më të larta për disa përfitime ekonomike. Për shembull, biznesi kontribuon në 85% të rritjes së produktivitetit të punës dhe 85% të investimeve në teknologji. Drejtuesit e bizneseve kanë shumë arsye për të qenë krenarë, por nëse do të citonim revolucionarët francezë dhe Spider-Man, “me pushtet të madh vjen edhe një përgjegjësi e madhe”.

Kjo është veçanërisht e vërtetë për ata që drejtojnë korporata të mëdha. Midis viteve 1995 dhe 2018, kontributi i korporatave të mëdha në ekonomitë e vendeve të tyre, u rrit me dhjetë pikë përqindje për sa i përket pjesës së PBB-së. Por këto korporata po mbështeten gjithnjë e më pak në asete dhe fuqi punëtore – pra, më pak kapital fizik dhe më pak punonjës për njësi të ardhurash – gjë që ngre edhe më tepër pyetje.

SI KANË NDIKUAR KËTO NDRYSHIME NË MËNYRËN SI KORPORATAT KRIJOJNË VLERË, TE PËRFITIMET PËR FAMILJET?

Michael Birshan: Vlera përcillet ose “rrjedh” nga korporatat te familjet, përmes tetë rrugëve të ndryshme. Nëse marrim një vlerë prej 1 dollar në të ardhura që gjeneron një korporatë e zakonshme, 25 cent e kësaj vlere shkon si shpërblim për punën: pra, pagat dhe përfitimet e tjera për punonjësit. Shtatë cent i atij dollari shkon për të ardhurat nga kapitali, pra dividentët, riblerjet e aksioneve dhe pagesat e interesit për titullarët e borxhit.

Gjashtë cent shkojnë për investimet – fitime që mbahen për t’u investuar në asete të reja prodhuese, ndërsa katër cent shkojnë për prodhimin dhe taksat e korporatës. 58 centët që mbeten shkojnë për pagesat e furnitorëve, të cilat më pas rezultojnë në të ardhura nga puna, të ardhura nga kapitali, investime dhe rrugë tatimore për ato kompani furnizuese.

Ka edhe tre rrugë shtesë. Njëra është teprica e konsumatorit, që përfaqëson gatishmërinë e konsumatorëve për të paguar çmime më të larta nga sa ngarkojnë kompanitë për mallra dhe shërbime. Kjo vlerë është 40 cent shtesë për 1 dollar të ardhura, pra një kontribut tepër thelbësor për familjet. Më pas ka edhe dy “rrjedhje” të tjera të vlerës që shkojnë nga korporatat te familjet, dhe që nuk janë të një natyre ekonomike.

“Rrjedhjet” negative përfshijnë për shembull, emetimet e karbonit, përdorimin e tokës dhe ndikimin në biodiversitet. Emetimet globale tani arrijnë në 40 gigaton në vit dhe po vazhdojnë të rriten. Çdo rrugë drejt stabilizimit të klimës do të kërkonte nivele të jashtëzakonshme të rialokimit të kapitalit dhe krijimin e mundësive të reja për ndërtimin e bizneseve të gjelbra.

Sigurisht, ka edhe ndikime pozitive, si përfitimet e produktivitetit në ekonominë e gjerë, kur risitë e një kompanie bëhen më gjerësisht të miratuara. Ne shqyrtuam produktivitetin total të faktorëve, që është mënyra si ekonomia kombinon kapitalin dhe punën për të krijuar vlerë.

Ai përfshin dimensione të tilla si, mënyra se si ne shfrytëzojmë teknologjinë për të përfituar më shumë nga inputet e kapitalit dhe të punës dhe mënyra se si ndajmë praktikat më të mira. Kjo normë produktiviteti është ngadalësuar materialisht, nga një rritje vjetore prej 1.1% në dekadën 1995-2005, në 0.2% në dekadën e fundit.

Bota është bërë më pak efektive në kombinimin e kapitalit dhe punës në mënyra inovative, për të krijuar përfitime ekonomike, por kjo është një temë debati që u përket ekonomistëve. Gjatë bumit të dot-com, ekonomisti Robert Solow tha në mënyrë të famshme: “Epoka e kompjuterit vihet re kudo, përveç se në statistikat e produktivitetit”. Duhej të kalonte njëfarë kohe derisa të gjithë të aplikonin teknologjitë e reja në mënyra që krijonin përfitime në produktivitet. Kjo mund të jetë e vërtetë edhe për investimet aktuale në analitikën dixhitale dhe Inteligjencën Artificiale.

A KENI VËNË RE NDRYSHIME TË RËNDËSISHME ME KALIMIN E KOHËS, NË MËNYRËN SI PËRCILLEN OSE “RRJEDHIN” FITIMET E KORPORATAVE PËRGJATË KËTYRE RRUGËVE TË NDRYSHME?

Clarisse Magnin-Mallez: Po. Më e habitshme është pjesa në rënie e vlerës që shkon për të ardhurat nga puna, në krahasim me të ardhurat nga kapitali. Kjo është një prirje që e kemi vërejtur prej shumë kohësh. Nëse pjesa e kapitalit në raport me punën, do të kishte mbetur konstante, një vlerë shtesë prej 1.2 trilionë dollarësh, do të kishte “rrjedhur” te familjet, përmes “rrugës” së punës.

Përveç kësaj, të ardhurat nga kapitali, zakonisht përqendrohen te familjet me të ardhura më të larta. Për shembull, në SHBA, familjet më të pasura rritën pjesën e tyre të të ardhurave nga kapitali me shtatë pikë përqindje gjatë periudhës që ne morëm në studim. Hendeku është më i ulët në vendet e tjera, megjithatë, ky përqendrim ngre pyetje mbi mënyrën se si ndahet vlera e korporatave.

Një ndryshim tjetër që do të theksoja është ulja e pagesave të furnitorëve për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM-të). NVM-të përbëjnë një pjesë të mirë të vendeve të punës në komunitetet lokale.

Në anën pozitive, është rritur teprica e konsumatorit, nga i cili kanë përfituar pothuajse të gjithë, pavarësisht grupit të të ardhurave. Megjithatë, ka pasur edhe rritje çmimesh, deri në 50% në raport me inflacionin, në disa zona. Kjo ka bërë që arsimi, kujdesi shëndetësor dhe disa shërbime të tjera thelbësore, të mos përballohen dot nga familjet me të ardhura më të ulëta.

SI NDRYSHOJNË RRUGËT E VLERËS SIPAS SHTETEVE?

Clarisse Magnin-Mallez: Shumica e prirjeve të lartpërmendura janë të pranishme në të gjitha vendet anëtare të OECD-së, por kemi vënë re edhe disa dallime, të nxitura kryesisht nga përzierja e disa arketipave të kompanive në ekonomitë e vendeve të ndryshme.

Michael Birshan: Ka disa nuanca edhe brenda këtyre rrugëve. Tek ekonomitë më të mëdha të OECD-së, rritja më e madhe e të ardhurave nga kapitali, ka ndodhur në korporatat me seli në SHBA dhe më e vogla, në ato me seli në Japoni. Gjithashtu, Gjermania ka përjetuar një rritje në “rrugën” e pagesave të furnizuesve për korporatat gjermane, ndërsa shumica e ekonomive të tjera të OECD-së kanë regjistruar rënie.

CILAT JANË ARKETIPET E KOMPANIVE DHE SI I VENDOSËT KËTO KATEGORI?

Michael Birshan: Për 5000 kompanitë që përfshimë në grupin tonë të të dhënave, ne kërkuam përdorime të ngjashme të inputeve, si puna, kapitali fizik dhe kapitali jomaterial, dhe ngjashmëri në mënyrën si krijohet vlera ekonomike, për shembull, struktura të ngjashme të kostos, niveleve të shpenzimit për Kërkim e Zhvillim dhe ndikimit në shoqëri, të matura përmes rrugëve që diskutuam.

Ne e bëmë këtë analizë kryesisht përmes një algoritmi që grupoi 150 nënsektorë të kompanive në tetë arketipe kompanish që kryejnë gjëra të ngjashme dhe kanë ndikim të ngjashëm në botë.

Për shembull, the Discoverers (zbuluesit), janë kompani që udhëheqin në fushën shkencore. Ato kanë shpenzime të larta në Kërkim e Zhvillim, një nivel të lartë kapitali jomaterial dhe mjaft “rrugë” për të ardhurat nga kapitali. Të tilla janë firmat farmaceutike, por edhe kompanitë e produkteve shtëpiake me oferta të diferencuara dhe të orientuara nga inovacioni. The Technologists (teknologët) është një grup që përfshin kompanitë e internetit, mediave dhe shitjes me pakicë, duke përfshirë hardware dhe software.

The Experts (Ekspertët) janë biznese që shfrytëzojnë më shumë kapitalin njerëzor për të ofruar shërbime dhe mesatarisht ofrojnë paga më të larta se një korporatë e zakonshme. Këtu përfshihen kompanitë e shërbimeve të biznesit, si dhe spitalet private dhe institucionet arsimore.

The Deliverers (Shpërndarësit), janë shitësit me pakicë, shpërndarësit, zinxhirët e restoranteve – biznese që marrin inpute gjetiu dhe i shesin ato gjerësisht. Ngritja e këtyre institucioneve ka pasur ndikim të rëndësishëm shoqëror. The Makers (Prodhuesit), janë prodhues me kapital intensiv, të cilët gjithsesi përbëjnë një pjesë të madhe të punësimit: hapësira ajrore, mbrojtja dhe industria e automobilave, por edhe kompanitë e ndërtimit dhe inxhinierisë.

The Builders (ndërtuesit), krijojnë, përdorin dhe operojnë infrastrukturën fizike në të cilën mbështetet bota dhe përfshijnë kompanitë e shërbimeve dhe minierave. The Fuelers (Karburantët), janë kryesisht prodhuesit e naftës, gazit dhe qymyrit. The Financers (Financierët), janë bankat, kompanitë e sigurimeve dhe pasurive të paluajtshme, që vlerësojnë asetet dhe ofrojnë kapital.

SA GJERËSISHT MANIFESTOHEN KËTO ARKETIPE NË EKONOMITË E VENDEVE TË NDRYSHME?

Michael Birshan: Ato kanë prani të ndryshme nëpër botë. Për shembull, nuk është për t’u habitur që “Prodhuesit” janë më të përhapur në Gjermani dhe Kore, në krahasim me shumicën e vendeve të tjera të OECD-së. Arketipe të tjera si “Teknologët” janë më të përhapur në SHBA. Mbretëria e Bashkuar ka shumë “Financierë”, “Karburantë” dhe “Zbulues”, në krahasim me mesataren e vendeve të OECD-së.

Kini parasysh se këto arketipe i kalojnë kufijtë tradicionalë të sektorit sepse, për shembull, prodhuesit e kapitalit intensiv dhe firmat e ndërtimit dhe inxhinierisë kanë ndikim të ngjashëm, ndërsa firmat e mbështetura në kërkim dhe zhvillim, kanë “rrugë” të ngjashme për të ardhurat nga kapitali dhe ndikime pozitive të produktivitetit për ekonominë.

ÇFARË PËRFITIMI KANË DREJTUESIT E BIZNESIT, DUKE E DITUR SE CILIT ARKETIP I PËRKASIN KOMPANITË E TYRE?

Michael Birshan: Duke qenë se arketipet kanë gjurmë shumë të ngjashme për sa u përket kontributeve pozitive dhe sfidave që duhen menaxhuar, ato kanë shumë të përbashkëta. Një mënyrë është që të bashkëpunohet me anëtarët e të njëjtit arketip dhe jo vetëm me kolegët e sektorëve tradicionalë. Kompanitë e të njëjtit arketip mund të konsiderohen si një bashkëmoshatar me të cilin keni më shumë të përbashkëta.

ÇFARË MODELESH JANË VËNË RE ME KALIMIN E KOHËS, CILAT ARKETIPE KANË QENË NË RRITJE APO NË RËNIE?

Clarisse Magnin-Mallez: Elementi më i spikatur është rënia relative e Prodhuesve, të cilët kanë qenë arketipi kryesor në OECD.

Ata përfaqësojnë 30% të të ardhurave totale të punës, kështu që janë thelbësorë për punësimin dhe zënë 26% të sektorit Kërkim e Zhvillim, kështu që rënia e Prodhuesve mund të jetë një pjesë e arsyes së rritjes së të ardhurave nga kapitali, në krahasim me të ardhurat nga puna. Kini parasysh se kjo analizë fokusohet në vendet anëtare të OECD-së. Ne vëmë re një zhvendosje të madhe globale të Prodhuesve drejt ekonomive jashtë OECD-së.

Rritje kanë pasur Financierët, Ekspertët, Shpërndarësit dhe Teknologët. Kjo përforcon dy mesazhe që ne jemi përpjekur t’i përcjellim: rritja e të ardhurave nga kapitali, që ka ardhur nga Financierët dhe Teknologët, dhe një polarizim i pagave, sepse Shpërndarësit ofrojnë pagat më të ulëta. Përzierja e arketipit është mjaft e ndryshme nga një vend në tjetrin, por ne kemi vënë re një rritje të përgjithshme të këtyre katër arketipeve.

ÇFARË IMPLIKIMESH KANË KËTO NDRYSHIME NË MËNYRËN SESI DREJTUESIT E BIZNESEVE DUHET TË MENDOJNË PËR PERFORMANCËN E KOMPANIVE TË TYRE DHE PËRGJEGJËSINË MË TË GJERË NDAJ SHOQËRISË?

Michael Birshan: Ne jetojmë në epokën ESG (environmental, social, and corporate governance issues, – problemeve mjedisore, shoqërore dhe të qeverisjes së korporatave) dhe flasim shumë për faktorin mjedisor “E”, por faktori social “S” është gjithashtu vendimtar.

Hulumtimi ynë hedh dritë mbi disa nga forcat themelore që nxisin dukuritë që vëmë re sot. Një sugjerim për drejtuesit e biznesit është që të dini shifrat e kompanisë tuaj. Si paraqitet vlera e kompanisë sipas rrugëve të lartpërmendura? Si krahasohet ajo me kompanitë e tjera të industrisë, ose kompanitë e tjera me seli në vendin tuaj, apo kompanitë brenda arketipit tuaj?

Së dyti, a tregojnë këto shifra se ka rrugë që mund ose duhet t’i zgjeroni? Nëse po, kjo ka implikime për bazat e operacioneve të biznesit. Si e shikoni rrugën tuaj të punës? Cili është bilanci i të ardhurave kur merrni parasysh diversitetin, barazinë dhe përfshirjen? Çfarë metode po përdorni për rikualifikimin në shkallë të gjerë, duke pasur parasysh se shumë nga punët e sotme mund të bëhen më pak të rëndësishme në të ardhmen? Sa gjithëpërfshirës është prokurimi juaj dhe a po zhvilloni NVM të reja furnitore?

Për të rritur tepricën e konsumatorit, është i nevojshëm ndërtimi i bizneseve dixhitale, sepse bizneset e teknologjisë krijojnë teprica të mëdha konsumatore. Kjo mund të shkaktojë gjithashtu ndërprerje në disa sektorë të rëndësishëm, si kujdesi shëndetësor dhe arsimi. Sigurisht, rruga e të ardhurave kapitale është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe shumë kompani nuk janë aty ku do të dëshironin të ishin.

Mund të jetë i nevojshëm një transformim themelor i biznesit dhe një përmirësim i performancës. Sfida e ndryshimeve klimatike dhe mënyra si ne mendojmë për efektet pozitive të korporatave mbi familjet, kanë gjithashtu implikime të mëdha në proceset organizative dhe shpërndarjen e kapitalit.

Clarisse Magnin-Mallez: Ndërkohë që krijimi i vlerës është përqendruar në korporatat e mëdha, kemi vënë re se kjo është shoqëruar edhe me kritika më të larta ndaj korporatave. Një gjë e tillë ka rreziqet e veta, por ofron edhe mundësi për të pasur ndikim në disa nga këto fusha.

Përqendrimi i kapitalit po nxit aksionerët që të jenë më të informuar mbi elementet e ndryshme të kontributeve ekonomike dhe shoqërore të korporatave. Ne i këshillojmë kompanitë që t’i vlerësojnë ato implikime dhe të gjejnë mundësi për t’u diferencuar, duke treguar kontribute pozitive, veçanërisht në krijimin e vendeve të punës dhe përfshirjen e furnitorëve vendas që janë të rëndësishëm për punësimin në komunitetet lokale.

Pasi të keni ndërtuar një bazë, gjeni disa zona fokusi. Kompanitë kanë prirjen që të kenë lista të panumërta të nismave të tyre për të ardhmen, por ato që nxjerrin vlerën më të madhe nga strategjitë ESG, janë kompanitë që përqendrohen në dy ose tre fusha ku ato mund të arrijnë një ndryshim të mirëfilltë.

SI DO TË EVOLUOJNË KËTO RRUGË, DUKE PASUR PARASYSH TRANSFORMIMET DIXHITALE GJATË PANDEMISË?

Clarisse Magnin-Mallez: Unë mendoj se Prodhuesit do të vazhdojnë të rriten jashtë zonës së OECD-së. Rritja e Shpërndarësve, Teknologëve dhe Financierëve ka të ngjarë të përforcohet në vitet në vijim.

Michael Birshan: Një parashikim që kam për vitet e ardhshme është një fokus i vazhdueshëm në faktorin social “S” në ESG. Kjo nuk do të thotë se fokusi në faktorin mjedisor “E” do të ulet, por nëse dikush dëshiron të jetë përpara trendeve, duhet të mendojë thellë për rolin e kompanisë së tij në shoqëri. /Monitor.al

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari, ka paralajmëruar grevë në fund…